Trendy

Sllovenia heq dorë nga arsimi nëntëvjeçar, nga viti 2028 rikthehet modeli tetëvjeçar

Para 2 orë

Sllovenia ka paralajmëruar një reformë të madhe në sistemin arsimor pas publikimit të rezultateve të PISA 2025, sipas të cilave nxënësit kanë shënuar rezultatet më të dobëta që nga fillimi i këtij vlerësimi, përcjell tetova1

Ministri slloven i Arsimit, Shkencës dhe Rinisë, Borut Ronçeviç, ka njoftuar heqjen e arsimit fillor nëntëvjeçar dhe futjen graduale të një modeli të riformuar të arsimit tetëvjeçar, duke filluar nga viti shkollor 2028/2029.

“Gjendja është shumë e keqe, ndërsa trendi është katastrofik”, ka vlerësuar Ronçeviç, raportojnë mediat sllovene.

Reforma parashikon edhe kritere më të larta në vlerësim, forcimin e etikës së punës, lehtësimin e programeve mësimore me më shumë fokus te kuptimi i materialit, si dhe mbështetje shtesë për nxënësit e talentuar.

Rezultatet e PISA 2025 tregojnë se nxënësit sllovenë në matematikë dhe lexim kanë rënë nën mesataren e vendeve të OECD-së, ndërsa rezultatet në shkencat natyrore janë rreth mesatares.

Në matematikë, nivelin bazë të njohurive e kanë arritur 65 për qind e nxënësve, ndërsa në lexim 64 për qind. Për krahasim, mesatarja e OECD-së është 69 për qind.

Si faktorë që kanë ndikuar në këtë trend negativ përmenden përdorimi i tepruar i pajisjeve digjitale, ndërprerjet e procesit mësimor dhe ulja e përqendrimit të nxënësve. Sipas të dhënave, 48 për qind e nxënësve përdorin mjete me inteligjencë artificiale për përgatitjen e detyrave shkollore.

Problem tjetër është mungesa e kuadrit mësimor. Vetëm 17,5 për qind e nxënësve ndjekin mësimin në shkolla, drejtorët e të cilave nuk e konsiderojnë mungesën e mësuesve si pengesë në funksionimin e tyre.

Nga Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Sllovenisë kanë vlerësuar se rezultatet e dobëta janë pasojë e neglizhencës shumëvjeçare dhe investimeve të pamjaftueshme sistematike në stafin arsimor./tetova1.mk

Trending