Trendy

Nga Struga te politika suedeze: Arijeta Reçi kandidon në tre nivele në zgjedhjet e 13 shtatorit!

Para 1 orë

Nga Struga në Suedi, një rrugëtim i ndërtuar mbi arsimimin, përkushtimin dhe angazhimin politik. Arijeta Reci, me origjinë shqiptare nga Struga, prej më shumë se 14 vitesh është aktive në politikën komunale në Växjö të Suedisë, ndërsa më 13 shtator 2026 kërkon besimin e qytetarëve suedezë në zgjedhjet e radhës shkruan strugalajm.

Për Recin, Struga dhe rrënjët shqiptare janë një pjesë e pandashme e identitetit të saj.

Edhe pse jetën e ka ndërtuar në Suedi, ajo thotë se prejardhjen, gjuhën dhe lidhjen me vendin e origjinës i ka mbajtur gjithmonë pranë vetes.

Sot, Reci mban disa përgjegjësi politike në Växjö. Ajo është kryetare e dy komisioneve komunale, udhëheqëse e grupit të Socialdemokratëve në këshillin komunal dhe ushtron edhe detyra të tjera politike.

Në zgjedhjet e 13 shtatorit, ajo kandidon në tri nivele: për Komunën e Växjö-s, Rajonin Kronoberg dhe Parlamentin e Suedisë.

“Për mua politika nuk është titull apo pozitë. Është përgjegjësi”, shprehet Reci, duke theksuar se synimi i saj është një shoqëri ku fëmijët të kenë mundësi të barabarta, të moshuarit të ndihen të sigurt dhe shkollat e kujdesi shëndetësor të jenë të forta.

Ajo thekson gjithashtu se prejardhja apo vendi ku ka lindur një person nuk duhet të përcaktojë se sa larg mund të arrijë në jetë.

“Jam shqiptare nga prejardhja dhe suedeze në vendin ku kam ndërtuar jetën time. Nuk kam pasur kurrë nevojë të zgjedh mes këtyre dy pjesëve të identitetit tim. I mbaj të dyja me krenari”, thotë Reci.

Sot, ndërsa kërkon votën e qytetarëve suedezë për të vazhduar angazhimin e saj politik, ajo thotë se nuk harron asnjëherë rrënjët nga të cilat vjen.

Për shqiptarët e Strugës, kandidatura e Arijeta Recit në politikën suedeze është një tjetër histori suksesi e një bashkatdhetareje që, nga rrënjët shqiptare, ka arritur të marrë përgjegjësi të rëndësishme në jetën publike të Suedisë.

Arijeta Reci – kandidate e Socialdemokratëve në zgjedhjet e 13 shtatorit 2026

Komuna Växjö – nr. 7
Rajoni Kronoberg – nr. 7
Parlamenti suedez – nr. 21

Trending