Zëvendësdrejtori i Doganave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në pikën kufitare Bellanoc–Stançiq, duke theksuar rëndësinë e saj për lidhjen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Dauti tha se kjo pikë kufitare ka rëndësi të veçantë për qytetarët, pasi mundëson lidhje më të drejtpërdrejtë ndërmjet rajonit të Kumanovës dhe Gjilanit dhe lehtëson lëvizjen ndërkufitare.
Aktualisht, pika Bellanoc–Stançiq është e dedikuar vetëm për kalimin e automjeteve, ndërsa Dauti bëri të ditur se po punohet që në të ardhmen të mundësohet edhe qarkullimi i mallrave.
“Investimi në funksionalitetin e saj dhe në modernizimin e mënyrës së punës është investim në një lidhje më të mirë ndërmjet dy vendeve dhe në një rajon më të ndërlidhur”, deklaroi Dauti.
Gjatë vizitës, zëvendësdrejtori i Doganave u njoh nga afër me funksionimin e pikës kufitare dhe diskutoi mundësitë për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve.
Një tjetër proces që, sipas Dautit, është duke u zhvilluar intensivisht është funksionalizimi i sistemit “One Stop Shop”, me qëllim që edhe kjo pikë kufitare të ofrojë procedura më të shpejta, efikase dhe të koordinuara.
Dauti theksoi se përmirësimi i pikave kufitare nuk është vetëm çështje administrative, por pjesë e përpjekjeve për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve, forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.











