Trendy

Nuk do të ketë masa të reja për karburantet! Nafta në bursa mbi 100 dollarë për fuçi – të hënën çmime të reja në Maqedoni

Para 2 orë

Qeveria nuk planifikon gjatë fundjavës të marrë masa të reja lidhur me çmimin e karburanteve, pasi në bursat botërore çmimi i naftës përsëri ka kaluar mbi 100 dollarë për fuçi. Në prag të vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë të hënën, kur pritet përsëri rritje e çmimeve të karburanteve tek ne, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se gjendja është stabile, po bëhen kalkulime dhe se masat tashmë ekzistojnë. Ai mbetet në qëndrimin se kemi karburantet më të lira në Evropë. Thotë se çmimi i karburanteve nuk mund të krahasohet me fuqinë blerëse të qytetarëve dhe pagën mesatare ndërmjet vendeve.

“Kur blini një produkt nga i njëjti vend, atëherë nuk mund ta krahasoni me fuqinë blerëse të qytetarëve, sepse kjo është njësoj sikur të krahasoni kajsitë me limonët dhe të thoni se është e njëjta gjë. Nuk është e njëjta gjë, njëri është lloj tjetër fruti, tjetri është lloj tjetër fruti. Por ajo që është e rëndësishme për ne është që, në kuadër të asaj që e ngarkon shtetin si barrë mbi çmimin e benzinave, ajo të jetë më e vogla. Dhe është më e vogla dhe ky është fakt”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Opozita, nga ana tjetër, doli me akuzën se çmimi i karburanteve tek ne është rritur për 50 për qind që nga fillimi i krizës e deri tani, ndërsa pushteti nuk ka bërë asgjë për ta zbutur goditjen ndaj xhepit të qytetarëve.

“Ne jemi një nga vendet në rajon ku, me pagën mesatare ose minimale, mund të blihet sasia më e vogël, më së paku litra karburant. Edhe pse pushteti dëshiron të mburret se gjoja kemi karburantin më të lirë, standardi është aq i ulët, saqë edhe atë karburant më të lirë qytetarët nuk mund ta blejnë”, u shpreh Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.

Pushteti dhe opozita kanë qëndrime të kundërta edhe për çmimin e energjisë elektrike. Kryeministri pretendon se nuk do të ketë goditje energjetike këtë dimër, pasi në bursa është rritur edhe çmimi i energjisë elektrike dhe i gazit. Thotë se Qeveria po punon që nga janari çmimi i energjisë elektrike të jetë më i ulët ose të zgjaten orët me tarifë të lirë. Lideri i opozitës, Filipçe, nga ana tjetër, mendon se do të shtrenjtohen edhe energjia elektrike edhe ngrohja qendrore.

“Sot lirisht mund t’i siguroj qytetarët se do të kemi një dimër stabil, me furnizim të qëndrueshëm me energjensë, pa pasur çfarëdo luhatjesh nga aspekti i çmimit ose nga aspekti i sasisë”, tha Mickoski.

“Unë mendoj se do të shtrenjtohen edhe energjia elektrike edhe ngrohja qendrore”, u shpreh Filipçe.

Ndryshe, Komisioni Rregullator të hënën mori vendim me të cilin për 4,89 për qind u rrit çmimi i karburanteve tek ne. Çmimi i dizelit e kaloi kufirin psikologjik dhe shitet për 101 denarë për litër. Pas rritjes së çmimit të naftës në bursat botërore gjatë kësaj jave, çmimet e reja të karburanteve tek ne, Rregullatori do t’i bëjë të ditura të hënën./Tv21

Trending