Trendy

Komandant “Msusi”: Hashim Thaçi duhet të rikthehet si president i Kosovës

Para 2 orë

Ish-komandanti i UÇK-së, Rafis Aliti, i njohur si “Komandant Mësuesi”, ka shprehur besimin se ish-krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm nga Gjykata Speciale në Hagë.

Në një intervistë për Alsat, Aliti është shprehur se, pas përfundimit të procesit gjyqësor dhe kthimit në Kosovë, Hashim Thaçi duhet të rikthehet në postin e presidentit të Kosovës, nga i cili dha dorëheqjen pas nisjes së procesit ndaj tij në Hagë.

Sipas Alitit, rikthimi i Thaçit në krye të shtetit do të kishte rëndësi për Kosovën, veçanërisht në raport me qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes.

“Figura e Hashim Thaçit dhe e kaluara e tij është e njohur në gjithë botën dhe në këtë moment kur Republika e Kosovës është e izoluar, për shkak të politikave të gabuara që kjo qeveri ka bërë në gjashtë vitet e kaluara, ardhja e Hashim Thaçit si President i Kosovës, do të hapte dyërt në qendra politike të vendosjes, qoftë në Bruksel, Uashtingon, etj. Është interes i Kosovës ky. Është obligim njerëzor që Hashim Thaçi të kthehet prej aty ku shkoi në Hagë, Hashim Thaçi ishte president në atë moment dhe doli e dha dorëheqje”, tha Aliti

Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, është duke u përballur me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Trending