Trendy

“Safe City” në Gostivar: Kamerat do të vendosen në 12 pika të komunikacionit

Para 2 orë

Sistemi “Qytet i Sigurt” që nga fillimi i këtij viti ka nisur të zbatohet në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, ndërsa gradualisht është zgjeruar edhe në qytete të tjera të vendit, si Ohri, Velesi dhe rajoni i Tikveshit. Sistemi po bëhet pjesë e përditshmërisë në komunikacion, ndërsa shtrohet pyetja se kur dhe në cilat lokacione do të fillojë të zbatohet edhe në Gostivar, përcjell tetova1

Sipas informacioneve të dhëna për Gostivarpress.mk nga Ministria e Punëve të Brendshme, instalimi i kamerave është planifikuar për periudhën e ardhshme, por pa u përcaktuar një afat i saktë.

Ajo që dihet konkretisht është se në territorin e Gostivarit sistemi “Qytet i Sigurt” do të përfshijë 12 pika të komunikacionit, të përcaktuara nga ekspertët.

“Bazuar në dinamikën e paraparë dhe përmbushjen e parakushteve të nevojshme teknike, në periudhën e ardhshme është planifikuar të fillojë instalimi i pajisjeve dhe mjeteve teknike për sistemin ‘Qytet i Sigurt’ në territorin e Gostivarit. Komisioni për ndjekjen e zbatimit praktik të sistemit, në bashkëpunim me Departamentin e Punëve të Brendshme në Gostivar, ka përcaktuar 12 pika të komunikacionit ku është paraparë vendosja e kamerave”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Nga ministria nuk kanë bërë të ditura se cilat janë 12 lokacionet ku do të vendosen kamerat.

Sipas MPB-së, me vendosjen e sistemit “Qytet i Sigurt” pritet të ulet numri i shkeljeve në komunikacion, të përmirësohet siguria rrugore, të bëhet më efikas ndëshkimi i shkelësve, të rritet roli parandalues dhe kontrolli i komunikacionit, si dhe të përmirësohet efikasiteti i punës së policisë në të gjitha segmentet./tetova1.mk

Trending