Trendy

Tearca organizoi “Ditën e Groshës”

Para 2 orë

Tearca edhe një herë u bë vendtakimi ku bashkohen tradita, kultura, bujqësia dhe diversiteti.


“Dita e Groshës” prej kohësh nuk është vetëm një ngjarje kushtuar një produkti bujqësor.


Që nga fillimet e saj në vitin 2020 e deri më sot, “Dita e Groshës” është shndërruar në një traditë të njohur të rajonit të Pollogut. Gjatë viteve ky manifestim ka bashkuar bujq, shkolla, shoqëri kulturo-artistike, institucione, organizata të shoqërisë civile dhe shumë miq nga vendi dhe jashtë.


Këtë vit për “Ditën e Groshës” Tearca priti mysafirë nga Polonia.

“Komuna e Tearcës që nga fillimi ka qenë një partner i rëndësishëm i “Ditës së Groshës”. Mbështetja institucionale është e rëndësishme për ruajtjen e identitetit lokal, avancimin e bujqësisë dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e Komunës”, tha Metin Muaremi – Qendra për Edukim dhe Zhvillim.

“Përtej manifestimit është e rëndësishme mbështetja për bujqit, të mbrohet prodhimi tradicional dhe produktet vendor”, tha Daut Memishi, kryetar i Tearcës.

Zv/Ministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, ka një admirim personal për groshën. Peta me groshë është specialiteti i njohur në Strugë.

“Kanë ndryshuar kohërat e kultivimit të groshës. Ndryshimet klimatike, por edhe situata me arrat e Tearcës kanë ndikuar që dukshëm të bie rendimenti dhe prodhimet e groshës”, tha Albrim Hoxha, zv.ministër i Bujqësisë.
Si zakonisht, në këto aktivitete, nuk munguan as edhe ushqimet tradicionale. Një tryezë e këtillë me groshë Tearce, pa hallvë, do të ishte një mungesë e madhe.


Por edhe kjo ëmbëlsirë tradicionale po kaplohet nga harresa. Të paktë janë ata që e përgatisin, me zanatin që e kanë trashëguar nga më të vjetrit.


Krahas ndarjes së mirënjohjeve për kontributin në realizimin e “Ditës së Groshës”, pjesë e këtij manifestimi ishte edhe pjesa artistike.
Performuan Polla Gromulska dhe nxënësit e Shkollës Fillore “Mjekinja” – Poloni, si dhe Shoqëritë Kulturo-Artistike “Xheladin Zeqiri”, “Kiril Pejçinoviq” dhe “Yeni Hajat”.

Trending