Një mesazh i shkruar në asfalt, në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, u kthye në një prej simboleve të protestës së 120-të qytetare kundër qeverisë Rama.
“Krimi ka kokë!” – shkruhej në bulevard, ndërsa protestuesit nisën marshimin nga zona e Kryeministrisë drejt qendrës së Tiranës, duke shoqëruar lëvizjen me pankarta, flamuj, flakadanë dhe thirrje kundër qeverisë.
Protesta e 120-të u zhvillua këtë të diel, më 27 shtator, pas 4 muajsh tubimesh të njëpasnjëshme. Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, më pas iu drejtuan Kryeministrisë dhe vijuan marshimin në bulevard.
Shkrimi në asfalt u lidh nga protestuesit me zhvillimet e fundit rreth ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës GJKKO ka caktuar masën e “arrestit në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra, në kuadër të hetimeve të SPAK-ut.
Hetimi ka sjellë në vëmendje edhe marrëdhëniet e Hysenit me biznesmenin Ergys Agasi, i cili ndodhet nën masë sigurie në kuadër të një tjetër hetimi.
Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara, Rama reagoi publikisht për çështjen, duke deklaruar se akuzat duhet të provohen nga drejtësia dhe duke e cilësuar masën e marrë ndaj Hysenit si ekstreme. ©LAPSI.al











