Komunikata e plotë e VLEN-it
Zhgënjimin për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit e ndajmë dhe e ndjejmë.
Pavarësisht aktgjykimit, një gjë nuk ndryshon. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë dhe çlirimtare kundër një regjimi që vrau, dëboi dhe përndoqi popullin e Kosovës. Këtë të vërtetë e di Kosova, e dinë shqiptarët dhe e di edhe bashkësia ndërkombëtare që ndërhyri për ta ndalur regjimin e Millosheviqit.
Por edhe nga një temë kaq e ndjeshme BDI tenton të fitojë poena të ulëta politike. Shqiptarët i njohin si paranë e kuqe. E dinë se nuk kanë lënë gjë pa keqpërdorur.
Edhe të ashtuquajturin marsh, alla BDI, mundohen ta paketojnë e ta shesin si “mbipartiak”.
Nëse vërtet duan të protestojnë për ish-krerët e UÇK-së, atëherë protesta do të duhej të ishte pikërisht ndaj BDI-së dhe rolit të kryetarit të saj, Ali Ahmeti.
UÇK-ja nuk është pronë e BDI-së dhe nuk mund të përdoret si alibi për t’ia larë mëkatet.
Prandaj, në vend të thirrjes për protestë, nga lobistët për themelimin e Gjykatës Speciale sot kërkohen përgjigje publike.
1. Cili ishte pazari i ofruar në këmbim të mbështetjes së themelimit të Gjykatës Speciale?
2. Çfarë përmban dosja e Dhomave të Specializuara në Hagë që lidhet me dëshminë e Ali Ahmetit?
3. A kanë një emërues të përbashkët Dhomat e Specializuara dhe “Ballkani i Hapur”?
4. Përse Ali Ahmeti e rikualifikoi rolin e tij në procesin përpara Speciales, herë duke thënë se ishte dëshmitar, e herë duke thënë se nuk ishte dëshmitar në proces?
5. A ka shërbyer dëshmia e Ali Ahmetit si bazë për të ngritur aktakuzën kundër udhëheqësisë së UÇK-së nga ana e Gjykatës Speciale në Hagë?
Këto dhe shumë pyetje të tjera vazhdojnë të rëndojnë mbi supet e atyre që nuk kanë lënë gjë pa keqpërdorur.











