Pas arrestimit të nëntë personave në Zubin Potok, nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile, ka reaguar e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Operacioni i Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, i koduar “Dosja 23”, është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit të 27 shtatorit dhe lidhet me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se nëntë persona janë arrestuar nën dyshimin për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.
Zyra serbe e ka cilësuar aksionin si përpjekje për “të dëbuar dhe frikësuar serbët” në Zubin Potok, ndërsa ka pretenduar se arrestimet përbëjnë “hakmarrje ndaj serbëve”.
Në reagimin e saj, kjo zyrë ka pretenduar se njësitë policore kanë hyrë në orët e mëngjesit në disa fshatra të Zubin Potokut dhe kanë arrestuar nëntë persona.
Po ashtu, Beogradi e ka lidhur aksionin me zhvillimet e fundit në Hagë, duke pretenduar se arrestimet synojnë “zhvendosjen e vëmendjes së opinionit publik” nga aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Me qëllim që të ushtrojë presion shtesë mbi Zubin Potokun, të dëbojë dhe të frikësojë serbët e mbetur në Kollashinin e Ibrit, Albin Kurti dërgoi këtë mëngjes falangat e tij policore për të arrestuar nëntë serbë me pretekstin e përfshirjes së pretenduar në krime lufte. Njësitë e armatosura të Kurtit hynë këtë mëngjes rreth orës gjashtë, pikërisht në Kryqëzimin, në shtëpitë e kryefamiljarëve serbë në fshatrat Drien, Kalludër, Velji Breg, Crepuljë, Uglar dhe shoqëruan nëntë serbë. Ndërsa njerëzit flinin, ata u zgjuan nga policia, e cila thyente dyert dhe gjithçka para vetes”, thuhet në reagim, raportojnë mediat serbe.
Këto janë pretendime të palës serbe, ndërsa autoritetet e Kosovës e kanë paraqitur operacionin si pjesë të hetimeve për krime lufte kundër popullatës civile. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se detajet e tjera të operacionit do të bëhen publike kur informacioni të mund të publikohet.
Rasti “Grupi i Intelektualëve” lidhet me zhdukjen e 23 personave gjatë luftës në Kosovë. Në kuadër të hetimeve janë kryer edhe gërmime në zonën e Zubin Potokut, ndërsa analiza të ADN-së kanë identifikuar mbetje mortore të viktimave të këtij rasti.
Ndërkohë, Zyra për Kosovën ka thënë se ka kontaktuar familjet e të arrestuarve me qëllim të sigurimit të mbrojtjes juridike për ta.











