Trendy

Kroacia ngre shqetësimin për armatosjen e Serbisë: Një valë e madhe blerjesh armatimesh

Para 47 minuta

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha se Kroacia po ndjek nga afër procesin e armatosjes së Serbisë, të cilin e përshkroi si një proces të gjerë të blerjes së armatimeve, raportoi agjencia kroate e lajmeve HINA.

Deklarata e Plenkoviç u bë gjatë një takimi me kryeministrin e Bavarisë, Markus Söder, në Zagreb, pasi ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anušić, e kishte cilësuar retorikën dhe forcimin ushtarak të Serbisë si gjithnjë e më agresiv.

“Është një proces i jashtëzakonshëm armatosjeje, pothuajse një valë e madhe blerjesh armatimesh nga vende të ndryshme të botës”, tha Plenkoviç, duke shtuar se vendet fqinje të Serbisë duhet të pyesin veten pse Beogradi po armatoset në këtë masë.

Kryeministri kroat tha se çështja e armatosjes së Serbisë është diskutuar edhe në Këshillin e Mbrojtjes dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Kroacisë.

Sipas tij, Zagrebi po e diskuton këtë çështje edhe me partnerët e tij, të cilët janë në dijeni të situatës.

Plenkoviç tha gjithashtu se Kroacia, si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, po kujdeset për sigurinë e saj dhe se buxheti i mbrojtjes është trefishuar gjatë 10 viteve të fundit.

Ai theksoi se kapacitetet që po ndërton Kroacia janë, sipas tij, mjete parandaluese dhe nuk përbëjnë kërcënim për vendet e tjera.

Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anušić, tha më herët, gjatë një konference ndërkombëtare për industrinë e mbrojtjes në Zadar, se Serbia është armatosur intensivisht gjatë 10 viteve të fundit, me sisteme ushtarake që ai i përshkroi si “shumë serioze” dhe sulmuese.

Anušić deklaroi se Kroacia do të forcojë kapacitetet e saj të mbrojtjes, me synimin për të vendosur një ekuilibër të forcave të armatosura në rajon.

Ai tha gjithashtu se gjatë një viti, Kroacia ka nënshkruar kontrata me kompani kroate në vlerën e më shumë se 200 milionë eurove për pajisjen e Forcave të Armatosura kroate.

Deklaratat e zyrtarëve kroatë u bënë në kuadër të diskutimeve për sigurinë evropiane dhe zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse.

Trending