Trendy

Një gjyq, qindra të akuzuar: Brenda gjyqeve masive të El Salvadorit

Para 3 orë

Qindra njerëz gjykohen së bashku, avokatët thonë se nuk arrijnë të kenë akses të plotë në dosje, ndërsa identiteti i gjyqtarëve nuk u bëhet i ditur as mbrojtësve. Një raport i Human Rights Watch hedh dritë mbi sistemin e gjyqeve masive të ngritur në El Salvador gjatë ofensivës së presidentit Nayib Bukele kundër bandave kriminale. Në një proces të vetëm, më shumë se 120 persona u dënuan me 30 ose 45 vjet burg dhe askush nuk u shpall i pafajshëm.

El Salvadori e ka kthyer luftën kundër bandave kriminale në një nga operacionet më të mëdha të sigurisë në Amerikën Latine. Tani, ndërsa dhjetëra mijëra njerëz ndodhen pas hekurave, vëmendja po zhvendoset nga arrestimet masive te mënyra se si po gjykohen të arrestuarit.

Një raport i ri i Human Rights Watch, i publikuar të mërkurën dhe i analizuar nga “Al Jazeera”, dokumenton mënyrën se si qindra persona mund të akuzohen, gjykohen dhe dënohen së bashku në të njëjtin proces.

Organizata shqyrtoi katër aktakuza që përfshinin më shumë se 600 të pandehur dhe një vendim të vetëm gjyqësor ndaj më shumë se 120 personave. HRW intervistoi gjithashtu 15 avokatë mbrojtës.

Dëshmitë e tyre përshkruajnë një sistem ku mbrojtja përballet me pengesa që nisin që nga aksesi në dokumentet e çështjes.

Avokatët thanë se në disa raste nuk janë lejuar të shohin dosjet e klientëve të tyre dhe nuk kanë mundur të komunikojnë privatisht me ta. HRW evidenton gjithashtu akuza të formuluara në mënyrë të paqartë, prova të dobëta dhe probleme në zhvillimin e proceseve.

Juanita Goebertus, drejtoresha për Amerikat në Human Rights Watch, i përshkroi gjyqet masive si procese të ndërtuara për të prodhuar vendime fajësie dhe jo për të vlerësuar provat sipas standardeve të një procesi të rregullt ligjor.

Një prej rasteve të analizuara nga Human Rights Watch tregon përmasën e sistemit. Më shumë se 120 persona u shpallën fajtorë për anëtarësim të paligjshëm dhe morën dënime prej 30 ose 45 vjetësh burg. Asnjë prej tyre nuk u shpall i pafajshëm.

Sipas HRW, për shumicën dërrmuese të të burgosurve të dënuar mbi këtë bazë, prova e vetme që i lidhte me një bandë kriminale ishte deklarata e njërit prej dy dëshmitarëve anonimë, të cilëve u ishte dhënë imunitet nga ndjekja penale.

Një avokat i tha organizatës se prokuroria mund ta mbështesë akuzën se një person është anëtar bande mbi një raport policor, ndërsa vetë raporti mbështetet në informacione zyrtare të paspecifikuara ose në të dhëna që qarkullojnë publikisht.

Një tjetër problem lidhet me vetë gjykatat. Çështjet shqyrtohen nga Tribunalet Kundër Krimit të Organizuar, pjesë e sistemit të mbikëqyrur nga Gjykata e Lartë e El Salvadorit. Sipas raportit, identitetet e gjyqtarëve nuk bëhen publike dhe nuk u komunikohen as avokatëve që marrin pjesë në procese.

Gjyqet masive janë faza tjetër e ofensivës së Nayib Bukeles kundër bandave kriminale.

Në mars 2022, presidenti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pas një vale dhune dhe vrasjesh. Masa kufizoi disa liri civile dhe u dha autoriteteve kompetenca shumë më të gjera për arrestime.

Një vit më vonë, Kongresi miratoi ndryshime që hapën rrugën për gjykimin në grup të qindra të pandehurve.

Që prej fillimit të gjendjes së jashtëzakonshme, autoritetet kanë arrestuar më shumë se 93 mijë persona, mes tyre mbi 3 mijë fëmijë.

Në total, rreth 120 mijë njerëz ndodhen aktualisht në burgjet e El Salvadorit, një numër që përfaqëson afërsisht 2 për qind të popullsisë së vendit dhe e vendos shtetin mes vendeve me normat më të larta të burgosjes në botë.

Vetë Bukele ka pranuar se në operacionet masive janë arrestuar edhe njerëz të pafajshëm. Në vitin 2024 ai deklaroi se rreth 8 mijë persona të arrestuar ishin liruar më pas dhe premtoi lirimin e të gjithë atyre që rezultonin të pafajshëm.

Qeveria e tij mbron gjyqet masive si një instrument të nevojshëm për të çmontuar struktura kriminale që për vite kontrolluan territore dhe ushtruan dhunë ndaj popullsisë.

Në prill, Prokurori i Përgjithshëm Rodolfo Delgado mbrojti publikisht një proces masiv ndaj afro 500 personave të dyshuar si anëtarë të MS-13, duke argumentuar se banda kishte vepruar në mënyrë sistematike dhe kishte shkaktuar frikë e viktima mes familjeve salvadoriane.

Human Rights Watch argumenton se lufta kundër bandave nuk mund të zëvendësojë shqyrtimin individual të përgjegjësisë penale.

Organizata kërkon rishikim të pavarur të çështjeve të ngritura gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe lirimin e personave që mbahen në burg pa prova të besueshme.

Pas më shumë se katër vjetësh arrestimesh masive, debati në El Salvador nuk lidhet më vetëm me mënyrën se si shteti i fut të dyshuarit pas hekurave. Raporti i ri ngre një tjetër çështje: çfarë ndodh me të drejtat e të pandehurve kur qindra prej tyre vendosen përpara drejtësisë në të njëjtën kohë.

Trending