Shefi i Shtabit të VLEN-it, Adnan Azizi, u ka bërë thirrje aktivistëve, të rinjve dhe përkrahësve të koalicionit që të mobilizohen deri në ditën e zgjedhjeve lokale të 18 tetorit.
Në një postim në rrjetet sociale, Azizi tha se VLEN është subjekt i fuqishëm, me kandidat dhe lidership të ri, ndërsa theksoi rolin e të rinjve në fushatë.
“Fitorja nuk vjen vetë. Fitorja fitohet me punë, me mobilizim, me çdo derë që trokasim, me çdo qytetar që bindim dhe me çdo votë që sigurojmë”, shkroi Azizi.
Ai u bëri thirrje aktivistëve të mobilizohen në lagje, fshatra dhe familje, duke përcjellë, siç tha, mesazhin e unitetit dhe gatishmërisë së VLEN-it për zgjedhjet.
“Më 18 tetor nuk do të votojmë vetëm një numër. Do të votojmë për shpresën, për energjinë e re dhe për të ardhmen”, deklaroi Azizi.
Në fund të postimit, ai e mbylli me thirrjen: “Një zë! Një qëllim! Një fitore!”.











