Trendy

Gostivari pastrohet nga makinat e braktisura

Para 8 orë

Në qytetin e Gostivarit ka filluar aksioni për largimin e makinave të braktisura dhe automjeteve që prej vitesh qëndrojnë të parkuara nëpër hapësira të ndryshme publike. Ky aksion po zhvillohet nga Ndërmarrja Ndërmunale “Parkingjet Publike dhe Gjelbërimi”, në bashkëpunim të ngushtë me inspektoratin komunal dhe përmes shërbimit të specializuar të merimangës.

 

Deri më tani, procesi po vijon sipas dinamikës së paraparë dhe, fatmirësisht, në të gjitha rastet mjetet janë tërhequr në mirëkuptim dhe marrëveshje me vetë pronarët.

 

Për të siguruar një pastrim të plotë, ndërmarrja ka hartuar një plan paraprak operacional, duke e ndarë qytetin në disa zona specifike. Ky aksion vjen si përgjigje direkte ndaj ankesave të shumta të qytetarëve, të cilët kanë dorëzuar kërkesa të panumërta pranë zyrave të ndërmarrjes.

 

Situata paraqitet më e rënduar në zonën qendrore të Gostivarit, ku janë evidentuar me dhjetëra automjete që bllokojnë vendparkingjet për muaj apo vite me radhë. Ky vendim është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi që rregullon rendin publik.

 

Aksioni po zhvillohet sipas dinamikës së paraparë dhe se fatmirësisht në të gjitha rastet makinat janë tërhequr në marrëveshje me pronarët..

 

“Për të shmangur masat ndëshkimore dhe bllokimet, ftojmë publikisht të gjithë pronarët e këtyre automjeteve që t’i largojnë ato vullnetërisht nga zonat e parkingjeve publike sa më parë të jetë e mundur. Ky apel vlen për të gjitha automjetet që qëndrojnë pa afat dhe pa asnjë kontratë të vlefshme shfrytëzimi”, thonë nga ndërmarrja “Parkingjet Publike dhe Gjelbërimi”.

 

Prej kësaj ndërmarrje thonë se kanë përgatitur një plan paraprak përmes të cilit qytetin e kanë ndarë në zona dhe në kuadër të të njëjtit është paraparë të pastrohet i gjithë qyteti. Ditë më parë, ndërmarrja “Parkingjet Publike dhe Gjelbërimi” njoftoi zyrtarisht se gjatë periudhës në vijim do të zhvillojnë një aksion të gjerë në terren për identifikimin dhe mënjanimin e të gjitha atyre automjeteve të cilat zënë vendet e parkimit për periudha shumë të gjata kohore, por nuk i plotësojnë kontratat e vlefshme për shfrytëzim të rregullt të parkingut.

Trending