Opens in a new tab
Trendy

REL: Nga studentët te pensionistët, çfarë i bashkon protestuesit në Tiranë?

Para 3 orë

Ndërtesa publike të dëmtuara nga zjarri, xhama të thyer dhe dyqane të plaçkitura, rrugë të mbushura me gurë e kontejnerë mbeturinash të djegur. Këto janë pamjet në Tiranë, teksa protestat e studentëve kanë hyrë në ditën e katërt dhe janë përhapur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Përleshjet mes policisë dhe grupeve të protestuesve, kryesisht të maskuar, kanë lënë dhjetëra të lënduar, shumica policë, sipas autoriteteve. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë protestuesit.

Studentët thonë se protestojnë kundër kostove të larta të arsimit dhe korrupsionit qeveritar, ndërsa kërkesë kryesore kanë dorëheqjen e Qeverisë së udhëhequr nga Edi Rama. Atyre u janë bashkuar edhe nxënës të shkollave të mesme. Mësimi është bojkotuar në universitete në Tiranë dhe në disa qytete të tjera, si dhe në disa gjimnaze të kryeqytetit.

Përtej studentëve, pakënaqësi që bashkojnë brezat

Pas katër ditësh protestash dhe përplasjesh me policinë, studentët vazhdojnë të dalin në rrugët e Tiranës. Sipas autoriteteve, vetëm mbrëmjen e 15 tetorit u ndaluan 160 protestues. Por studentët thonë se do të vazhdojnë të protestojnë.

 ‘Nuk kemi rrugë tjetër, nuk na është lënë zgjidhje tjetër. Çfarë duhet të bëjë një student që nuk përballon dot kostot e arsimit, të jetesës edhe pse punon. Çfarë të bëjë kur nuk dëgjohet, kur nëpërkëmbet. Nuk ka asnjë vlerë diploma sepse nuk ka meritokraci, vendet e punës janë për fëmijët e politikanëve, administratës, oligarkëve”, thotë për Radio Evropën e Lirë Blerta, studente në fakultetin Ekonomik në Tiranë.

Në rrugët e Tiranës, përkrah studentëve janë edhe profesorë. Lush Susaj, profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, thotë se proteston për studentët e tij dhe për të gjithë ata që janë detyruar të largohen nga vendi.

“Njëra nga studentet e mia mbaroi masterin shkencor me rezultate të shkëlqyera. E dini çfarë pune bën? Bën byrekë në një biznes në një lagje të Tiranës. Kjo është e dhimbshme për mua”, thotë Susaj për REL.

Ai ia atribuon situatën politizimit të shkollave dhe universiteteve, si dhe mungesës së meritokracisë në punësim.

“Nuk futesh në punë në shkolla dhe universitete pa mbështetjen e partisë në pushtet. Partia vendos për gjithçka. Studenti le të mbarojë me rezultate të shkëlqyera, punën do ta fitojë patronazhisti i partisë, pa aftësitë e duhura dhe pa lidhje me shkollimin. Situata që shohim sot është pasojë e keqqeverisjes, korrupsionit dhe nepotizmit. Faji nuk është i studentëve. Ata janë në të drejtën e tyre. Do të vinte dita që të shpërthenin”, thotë Susaj.

Krahas studentëve dhe profesorëve, në protestë janë edhe pensionistë. Mes tyre është Syrja Xhani, ish-punonjës i trupës së Cirkut Kombëtar dhe një nga organizatorët e protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar në vitin 2020. Ai thotë se prej 140 ditësh proteston kundër Qeverisë Rama.

Pakënaqësitë me Qeverinë Rama kanë nxjerrë qytetarë në rrugë prej muajsh. Protestat fillimisht u nxitën nga një projekt i diskutueshëm turistik në Zvërnec të Vlorës, i lidhur me Jared Kushner. Sipas protestuesve, ky projekt, ashtu si edhe të tjerë, tregon se politika po vendos interesat e saj mbi ato të qytetarëve dhe po shpërfill interesin publik.

“Pushtetarët fitojnë pasuri përrallore, ndërsa qytetarët bëjnë llogaritë për të mbijetuar. Kam punuar gjithë ato vite dhe çfarë pensioni marr? Duhet të zgjedh nëse do të blej ilaçe apo do të ushqehem”, thotë ai për REL.

Xhani e cilëson protestën të vonuar. Një tjetër pensionist pranë Xhanit, i cili nuk deshi të identifikohej, mendon se brezi i tij mban një pjesë të përgjegjësisë për situatën dhe se duhet të jetë çdo ditë në krah të studentëve.

“Është gabimi ynë që nuk ditëm ta përmbysnim komunizmin, ta shkulnim me rrënjë. Le t’i vuajmë pasojat, por duhet të jemi në shesh për fëmijët tanë. Kthim pas nuk ka”, thotë ai për REL.

Situata socio-ekonomike në Shqipëri

Paga mesatare mujore bruto: 92.150 lekë, ose rreth 1.000 euro, në tremujorin e dytë të vitit 2026, para tatimit dhe kontributeve.

Papunësia te të rinjtë 15–24 vjeç: 21,5% më 2025, për të gjitha nivelet arsimore, kundrejt 8,4% në nivel vendi.

Rreziku nga varfëria: 19% e popullsisë më 2025, me të ardhura të disponueshme nën pragun relativ të varfërisë.

Privimi i rëndë material dhe social: 31,2% e popullsisë më 2025 nuk përballonte të paktën 7 nga 13 nevoja materiale dhe sociale.

Protestuesit fajësojnë qeverinë për përshkallëzimin

Studentët dhe qytetarët e tjerë që marrin pjesë në protestë thonë se përshkallëzimi ishte e vetmja rrugë që u kishte mbetur për t’u dëgjuar.

Aurel Kujtimi, aktivist i kauzave studentore, thotë se situata u përshkallëzua për shkak të arrogancës së qeverisë.

“Qytetarët nuk u dëgjuan, përkundrazi, u tallën dhe u përçmuan. Përshkallëzimin e solli qeveria, ndërsa dhuna që policia e shtetit po ushtron ndaj të rinjve i revolton ata edhe më shumë”, thotë Kujtimi për REL.

Ai shpreh keqardhje për bizneset e vogla të dëmtuara gjatë protestës, por jo për bizneset e mëdha që, sipas tij, janë të lidhura me pushtetin dhe kanë përfituar nga taksat e qytetarëve. Të premten, në rrjetet sociale qarkulluan fotografi të bizneseve që kishin vendosur në hyrje letra të bardha me mbishkrimin: “Mbështesim studentët, mos na dëmtoni”.

Ndërkaq, në një video të publikuar të premten në Facebook, kryeministri Rama tha se protestat nuk lidhen me shqetësimet dhe aspiratat legjitime të qytetarëve për një jetë më të mirë. Ai akuzoi “duar të huaja”, pa i identifikuar ato, se po nxisin trazirat për të penguar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Një ditë më parë, ai i tha agjencisë Reuters se nuk do të japë dorëheqje.

Edhe profesori Lush Susaj e sheh përshkallëzimin si pasojë të mënyrës se si është menaxhuar protesta dhe akuzon policinë për dhunë ndaj protestuesve.

“Ditën e parë që protesta u përshkallëzua, kam qenë para Ministrisë së Arsimit. Pas gazit lotsjellës, u futëm në një nga rrugicat me studentët e mi për t’u ardhur në ndihmë. Policët erdhën për t’i qëlluar, edhe pse ishin të shtrirë në tokë. Kur më panë, më njohën dhe u larguan. Policia ka dëshmuar sjellje aspak profesionale këto ditë. Të rinjtë janë të mbingarkuar me mllef ndaj kësaj qeverie dhe, kur dhunohen edhe nga policia, si mund të reagojnë ndryshe?”, thotë ai.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri dënoi përshkallëzimin e dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike e private, duke u bërë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje. Ai kërkoi që policia të përdorë forcën në mënyrë proporcionale dhe që pretendimet për përdorim të tepruar të saj ndaj protestuesve dhe gazetarëve të hetohen me përparësi.

Policia ka paralajmëruar se çdo tejkalim i kompetencave do të sjellë përgjegjësi, ndërsa Avokati i Popullit ka nisur shqyrtimin nëse përdorimi i forcës ndaj protestuesve ka qenë proporcional.

Përplasjet kanë ngritur shqetësime edhe për sigurinë e fëmijëve në shkollat pranë zonave të protestës. Elona Gjylmi, gazetare me mbi 20 vjet përvojë dhe nënë e një fëmije që mëson pranë Ministrisë së Arsimit, thotë se mbështet protestat dhe mirëkupton zemërimin e të rinjve, por shqetësohet për ekspozimin e nxënësve ndaj gazit lotsjellës.

“Si prind, me fëmijën në një shkollë rreth 100 metra larg Ministrisë së Arsimit, jam jashtëzakonisht e shqetësuar. Sot në mësim ishin vetëm gjashtë fëmijë dhe prindërit i morën para përfundimit të procesit mësimor. Ministria e Arsimit, për mendimin tim, duhet të pezullojë mësimin në shkollat pranë institucioneve që po sulmohen gjatë protestës. Fëmijët po ekspozohen ndaj sasive të mëdha të gazit dhe kimikateve”, thotë ajo për REL.

Sipas protestuesve, zgjidhja e krizës politike kalon përmes dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama, krijimit të një qeverie teknike dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Ata kërkojnë gjithashtu hapjen e dialogut politik. /Radio Evropa e Lirë

Trending