Vendimi është shpallur përmes një urdhri ekzekutiv të premten, ndërsa administrata amerikane po ushtron presion ndaj Ukrainës që të ndalojë sulmet ndaj objekteve ruse të naftës, në përpjekje për të ulur çmimet e karburanteve përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Sipas CNN-it, Ukraina fillimisht e pranoi përkohësisht kërkesën, por më pas i rifilloi sulmet, ndërsa Rusia ka vazhduar të godasë infrastrukturën energjetike ukrainase.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka dënuar vendimin amerikan, i cili erdhi në kohën kur Rusia kishte kryer atë që ai e cilësoi si një nga sulmet më të mëdha ndaj sektorit energjetik të Ukrainës.
“Në një kohë kur rusët kanë kryer një sulm kaq masiv ndaj sektorit tonë energjetik, fatkeqësisht në Amerikë u mor një vendim për ta shpërfillur plotësisht Ligjin Lindsey Graham, i cili duhej të ushtronte presion vërtet efektiv ndaj Rusisë për t’i dhënë fund kësaj lufte”, deklaroi Zelensky.
Sanksionet e pezulluara parashihnin vendosjen e tarifave deri në 100 për qind, ndër të tjera, ndaj mallrave të importuara në SHBA nga pesë importuesit më të mëdhenj të naftës bruto ose gazit rus.
Trump e ka arsyetuar vendimin me interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
“I kam dorëzuar Kongresit një certifikim se dhënia e një përjashtimi të tillë në këtë moment është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në urdhrin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Megjithatë, sipas CNN-it, urdhri nuk specifikon pse ky vendim i shërben interesit kombëtar dhe përcakton se përjashtimi do të mbetet në fuqi derisa administrata Trump të vendosë për veprime të mëtejshme.
Vendimi ka shkaktuar reagime nga ligjvënësit amerikanë të të dyja partive.











