Paralajmërimet e Artan Grubit se gjatë javës mund të ketë takime me LSDM-në për të diskutuar mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, sipas Kovaçevskit, nuk është rënë dakord për një gjë të tillë. Edhe pse më herët flitej për një front të përbashkët europian parazgjedhor, të dyja partitë tani flasin pak për të. Kovaçevski thotë se deri më tani asgjë nuk është arritur me BDI-në, e nëse do të ketë diçka të tillë varet nga vendimet e organeve partiake.
A do do ketë edhe një përpjekje LSDM-BDI? Kovaçevski demanton Grubin, tha se s’është caktuar takim
“Varësisht nga analizat, varësisht nga sondazhet, varësisht nga disponimi i anëtarëve të partisë për të bërë koalicion me ndonjë parti politike, si do të funksiononin, ato vendime merren së bashku. Pra, me siguri Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë do të ketë përfaqësues të saj në të gjitha njësitë zgjedhore. Se a do të jenë pjesë e atyre listave të deputetëve, përfaqësues të partive të tjera politike që tradicionalisht nuk janë në koalicion me ne, këtë do ta tregojnë ende analizat përfshirë edhe BDI-në. Këtë do ta tregojnë analizat dhe sigurisht vendimet e organeve të partisë.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.
Edhe pse ende nuk ka konfirmim se presidenti aktual Stevo Pendarovski do të jetë kandidat për zgjedhjet presidenciale i propozuar nga LSDM-ja, Kovaçevski tha se këtë vendim do ta shpallin në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit të ardhshëm. Për momentin nuk ka njoftime se mund të arrihet marrëveshje për mbështetjen e kandidatit të LSDM-së në raundin e dytë nga BDI.
“BDI është e sigurt se sipas vlerësimeve të saj në lidhje me programet që kanë kandidatët për president sepse ka disa kandidatë për president, janë të VMRO-DPMNE-së, të LSDM-së, sipas asaj për të cilën ata angazhohen, kandidati ynë për president do të angazhohet për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Prandaj, unë besoj se ata do të marrin vendimet e tyre.”- tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.
Nga VMRO-DPMNE thanë se kandidatin e tyre do ta shpallin në fillim të muajit të ardhshëm. Paralajmërimet se kandidati i BDI-së do të jetë Ali Ahmeti ranë në ujë, edhe pse Grubi javën e kaluar ka shkruar “Vetëm Ali Ahmeti”, tani thotë se ai nuk do të jetë kandidat sepse, siç u shpreh, Ahmeti është misionar, jo funksionar.