Kanë kaluar dy javë që nga vdekja e foshnjës 14 mujore Ryja Sulisi, ndërsa ende vazhdon ping-pongu institucional mes Ministrisë së Shëndetësisë, drejtorëve të klinikave dhe Odës së Mjekëve, se kujt i takon të caktojë përgjegjësi për këtë rast. Derisa ministri i Shëndetësisë pret raportin e Odës së Mjekëve, këta të fundit thonë se nuk kanë kompetenca të lokalizojnë përgjegjësi individuale në rastin e foshnjës, aq më tepër derisa sipas tyre ministria nuk i ka dorëzuar dokumentacionin e plotë.
“Komisioni për Çështje Etike dhe Juridike nuk ka kompetencë Ligjore për të shqyrtuar punën e Komisionit për Mbikëqyrje Profesionale të formuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe as të përcaktojë masa me vetë iniciativë, veçanërisht për shkak se nuk disponon dokumentacionin mjekësor në bazë të së cilës është përgatitur raporti. Në rastin konkret, një vendim i tillë deri më tani nuk i është dorëzuar Odës, ndërsa Oda nuk ka mundësi ligjore të iniciojë përcaktimin e përgjegjësisë individuale dhe të propozojë masa vetëm duke u bazuar në raportin e dorëzuar”, thonë nga Oda e Mjekëve.
Për të vepruar më tej, Oda e Mjekëve pret vendim nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
“Oda e mjekëve do të veprojë menjëherë në përputhje me kompetencat e saj, sapo të marrë një vendim nga ministri i Shëndetësisë, i cili saktë do të caktojë përgjegjësin individuale dhe do të propozojë masa konkrete në përputhje me Rregulloret ligjore”, njoftojnë nga Oda e Mjekëve.
Shumica e lëshimeve të evidentuara në raport janë lëshime sistematike në institucionet shëndetësore, për të cilat Oda e Mjekëve nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta për veprim, por shpreh shqetësim të madh, sepse sipas tyre ndikojnë rëndë në funksionimin e institucioneve shëndetësore dhe në cilësinë e shërbimeve mjekësore.
Kujtojmë, se raportet nga inspektimet e Komisionit për Mbikëqyrje Profesionale e ngritur nga Ministria e Shëndetësisë, dhe raporti i Inspektoratit Shëndetësor Sanitar, tregojnë se bëhet fjalë për lëshime profesionale. /Alsat.mk