Zv.kryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, ka marrë pjesë në aktivitetet e “Arbëria Fest” në Kalabri, Itali, të organizuara në kuadër të veprimtarive të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon (UBSHR).
Qamili ka bërë të ditur se gjatë vizitës ka marrë pjesë në një sërë aktivitetesh kulturore e vëllazërore, ku ishin të pranishëm përfaqësues institucionesh, kryetarë bashkish e komunash, artistë dhe studiues nga trojet shqiptare.
Në kuadër të vizitës, delegacioni ka vizituar disa prej qendrave arbëreshe në Itali, përfshirë Spezzano Albanese, Frascineto, Civita, San Demetrio Corone dhe San Costantino Albanese.
Sipas Qamilit, arbëreshët, pavarësisht largësisë nga vendi i të parëve dhe sfidave ndër shekuj, kanë arritur të ruajnë gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare.
“Edhe pse larg atdheut të të parëve dhe përmes stuhive të shekujve, arbëreshët mbajtën ndezur me një dashuri të theksuar shpirtin shqiptar, duke ruajtur të paprekur gjuhën e ëmbël të nënës, traditat bujare dhe kulturën tonë të çmueshme si një amanet të shenjtë”, ka shkruar Qamili.
“Arbëria Fest” synon të sjellë në një hapësirë të përbashkët përfaqësues të institucioneve, kulturës dhe akademisë nga trevat shqiptare dhe komunitetet arbëreshe, me fokus ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së përbashkët.











