Teologu Dr. Bashkim Aliu ka reaguar lidhur me rastin e ndodhur gjatë ceremonisë mortore në fshatin Llacë të Tetovës, ku një familjar pretendoi se imamët nuk pranuan të kryenin ceremoninë fetare për nënën e tij për shkak të flamurit kombëtar mbi arkivol, përcjell tetova1
Në reagimin e tij, Aliu thotë se, pavarësisht qëndrimit të imamit, morti nuk duhet të shndërrohet në spektakël apo “show mediatik”, duke theksuar nevojën për respekt dhe dinjitet ndaj familjes së të ndjerës.
Postimi i plotë:
“Kur morti shndërrohet në spektakël
Po, imami nuk është melek dhe, si çdo njeri tjetër, mund të ketë një qëndrim që për dikë mund të jetë i diskutueshëm. Por, kur bëhet fjalë për mort, për askënd nuk duhet të jetë e diskutueshme se është thellësisht jonjerëzore ta shndërrosh mortin në spektakël, në një show mediatik, veçanërisht kur këtë e bën një fëmijë për nënën e vet.
Këtu përfundon çdo diskutim serioz mbi vlerësimin e qëndrimit të imamit. Ajo që mbetet është mjerimi i imituesit të një grumbulli nga Deçani, i cili, në vend që të kuptojë dhimbjen dhe dinjitetin e mortit, zgjedh ta shndërrojë atë në skenë për protagonizëm e spektakël.
Disa gjëra nuk kanë nevojë për interpretime të ndërlikuara: vdekja kërkon respekt, dhimbja kërkon dinjitet, ndërsa morti nuk është vend për spektakël”, ka shkruar Aliu./tetova1.mk











