Një nga gjetjet më domethënëse të anketës së fundit të realizuar nga MKD.mk dhe agjencia “Market Vision” është se më shumë se një e treta e qytetarëve (34.3%) besojnë se Maqedonia e Veriut po ecën në drejtimin e duhur, një rritje prej 3 përqind krahasuar me muajin prill. Kjo rritje vjen pas ndryshimeve politike dhe qeverisëse që solli koalicioni VLEN, si pjesë e ekzekutivit të ri.
Megjithëse VMRO-DPMNE mban epërsinë në nivel shtetëror me 23.8% të mbështetjes, koalicioni VLEN vazhdon të forcojë pozicionin në bllokun politik shqiptar, duke dalë përpara BDI-së në renditjen aktuale të partive shqiptare.
Rezultatet tregojnë se shqiptarët kanë filluar ta ndiejnë frymën e ndryshimit, duke shpërblyer qasjen e re dhe përfaqësimin më të drejtë që po promovohet nga VLEN në institucionet shtetërore dhe kulturore.
Ndërsa liderët e koalicionit VLEN (Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi) kanë përqindje të ndara në renditjen personale, përbashkimi i tyre nën një platformë të përbashkët politike ka nisur të japë efekt dhe të kthehet në një alternativë reale për shqiptarët në vend.
Për më tepër, të dhënat për drejtimin e vendit konfirmojnë një ndryshim në perceptimin e përgjithshëm, ku për herë të parë pas një kohe të gjatë, shumica relative e qytetarëve shprehen se vendi po ecën në drejtimin e duhur – një sinjal pozitiv për qeverisjen e re dhe politikat që po zbatohen.
Anketa është zhvilluar nga 20 qershori deri më 4 korrik 2025, përmes metodës CATI, me një kampion prej 1.200 të anketuarish dhe përfaqësim të balancuar në bazë rajonale, gjinore dhe etnike.











