Trendy

Arben Fetai jep dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit (Dokument)

Para 3 orë

Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë në Maqedoninë e Veriut, Arben Fetai, ka bërë të ditur se i ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit të vendit, Hristijan Mickoski, përcjell tetova1

Lajmin e ka konfirmuar vetë Fetai përmes një postimi në profilin e tij në facebook ku ka njoftuar se largohet nga funksioni i Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë pas dy vitesh në detyrë.

Ai theksoi se gjatë mandatit të tij ka punuar për avancimin e reformave që lidhen me llogaridhënien, transparencën dhe forcimin e shtetit të së drejtës, duke pranuar se mbetet ende punë për t’u bërë në këto fusha.

Fetai u shpreh se vendimi për dorëheqje është i mirëmenduar dhe i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale është veprimi më i drejtë dhe më dinjitoz.

Në mesazhin e tij, ai falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët, ekipin e tij, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe qytetarët për mbështetjen gjatë ushtrimit të detyrës, duke nënvizuar se angazhimi në shërbim të interesit publik nuk përfundon me mbarimin e funksionit.

Postimi i plotë i Fetait:

”Të dashur miq dhe bashkëqytetarë,

Sot i dorëzova Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë.

Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jofalenderues.

A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po.

Largohem me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër. Ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze.

Falënderoj të gjithë ata që më kanë besuar, më kanë mbështetur dhe kanë bashkëpunuar me mua gjatë këtij rrugëtimi. Mirënjohje e veçantë për ekipin tim, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe qytetarët që më kanë dhënë forcë e motivim në çdo hap.

Shërbimi ndaj interesit publik nuk mbaron kur mbaron funksioni. Përkundrazi, ai vazhdon kudo ku ka nevojë për integritet, kurajë dhe zëra të lirë në mbrojtje të së mirës së përbashkët.

Letrën e dorëheqjes mund ta lexoni më poshtë.

I juaji,
Arbeni”, ka përfundon Fetai./tetova1.mk

Trending