Siç njoftoi ekskluzivisht TV21 para disa ditëve se është arritur marrëveshja në mes PDE-së dhe BDI-së për Frontin Evropian, burime të njëjta për TV21 thonë se, Arjanit Hoxha ka pasur vështirësi gjatë negociatave me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Negociatat Hoxha me Ahmetin i filloi për pozitën 5 në zonën zgjedhore 6, por për hir të konstruktivitetit vendosi ta pranojë pozitën 7-të. Ndërkaq në fund i ka ardhur propozimi se duhet të bartë pozitën 11, që sipas sondazheve, vështirë është të fitohet.
Kjo e ka detyruar Hoxhën që të kthejë në parti propozimin për koalicion me BDI-në, që nga fillimi. Në organet e partisë ka shqyrtuar seriozisht çështjen se a duhet të jetë pjesë e Frontit Europian, marrë parasysh se PDE në gjashtë muajt e fundit është treguar konstruktive me BDI-në.
Sipas burimeve të TV21, BDI-ja insiston që Hoxha dhe deputeti i PDE-së, Bastri Bajrami të jenë pjesë e Frontit Europian dhe ka përmirësuar ofertën ndaj të njëjtës. Hoxhës ia ka ofruar pozitën 11 në zonën 6, ndërsa pas zgjedhjeve, nëse Fronti Europian bëhet pjesë e Qeverisë, PDE-së t’i takojnë poste në nivel drejtorësh.
Edhe për Bastri Bajramin ka pasur ofertë. Pavarësisht se a fiton ose jo si deputet në pozitën 5 në Zonën 2, ai do të bëhet deputet. Kjo do të mundësohet, që edhe nëse ai nuk zgjidhet me vota, njëri deputet në pozitat më lartë do të tërhiqet dhe do t’ia lëshojë vendin Bajramit.
Përndryshe të hënën në Pallatin e Kulturës në Tetovë pritet të nënshkruhet marrëveshja për koalicion në mes PDE-së, BDI-së dhe PDSH-së, si pjesë të Frontit Europian.