Një i burgosur i cili po transportohej nga burgu i Shtipit për në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore të Strumicës ka arritur të arratiset gjatë një pauze të procedurës gjyqësore.
Sipas informacioneve, i burgosuri në momentin e incidentit ishte nën mbikëqyrjen e dy pjesëtarëve të policisë së burgut. Gjatë pauzës ai ka kërkuar leje për të shkuar në tualet, ndërsa gjatë daljes ka shtyrë njërin nga policët dhe është dhënë menjëherë në arrati.
Pavarësisht se kishte prangat në duar, i burgosuri ka arritur t’u ikë zyrtarëve policorë dhe të largohet nga ndërtesa e gjykatës.
Pas arratisjes janë njoftuar menjëherë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike, ndërsa policia po ndërmerr të gjitha masat për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga ana tjetër, në burgun e Shtipit është formuar një komision i cili duhet të hetojë në detaje rrethanat e ngjarjes dhe të përcaktojë nëse ka pasur lëshime në detyrë nga ana e policisë së burgut.
Pas përfundimit të procedurës së brendshme pritet të bëhet e ditur se çfarë mase përgjegjësie do të merret ndaj zyrtarëve përgjegjës për shoqërimin dhe sigurinë e të burgosurit.











