Një 23-vjeçar shqiptar ka arritur të arratiset këtë mëngjes gjatë një transporti të të burgosurve në Baden, Zvicër, duke sfiduar autoritetet dhe duke u zhdukur pa lënë gjurmë.
Sipas mediave zvicerane, arratisja ndodhi pak para orës 9:00, ndërsa i burgosuri ishte i prangosur dhe po transferohej në një tjetër institucion të vuajtjes së dënimit. Ai u largua duke mbajtur veshur pantallona të zeza, xhaketë të zezë me mëngë të bardha me motive, dhe këpucë të bardha.
Përkundër një kërkimi të menjëhershëm me qen policie, i riu nuk është gjetur. Megjithatë, sipas Policisë Kantonale të Aargaut, ai nuk përbën rrezik për popullatën.
Zëdhënësja e Departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe të Punëve të Brendshme, Annette Kielholz, deklaroi për median lokale:
“Nuk mund të komentojmë mbi faktet specifike për arsye privatësie. I arratisuri është dënuar në shkallë të parë, por vendimi ende nuk ka marrë formë të prerë.”
Arratisja ndodhi pak çaste para se ai të transferohej në një burg tjetër të kantonit.
Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve — kushdo që ka informacion të kontaktojë urgjencën në 117.
Ngjarja ka shkaktuar reagime në Zvicër, ndërsa autoritetet janë në ndjekje intensive të të arratisurit.










