Trendy

Arrestohet themeluesi i “GP Aviation”, dyshohet për evazion fiskal prej 9 milionë eurosh në Gjermani

Para 7 sekonda

Themeluesi i kompanisë ajrore GP Aviation, e cila operon me seli në Sofje dhe ka lidhje të ngushta me Kosovën dhe Zvicrën, është arrestuar në mesin e muajit prill nën dyshimet për mashtrim tatimor në Gjermani, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Sipas raportimeve të mediave gjermane dhe bullgare, menaxheri me prejardhje zvicerano-italiane, P. G., u arrestua më 15 prill në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet gjermane në janar të vitit 2026.

Autoritetet gjermane e akuzojnë atë se nuk ka paguar siç duhet taksat e trafikut ajror në vlerë prej të paktën 9 milionë eurosh, apo rreth 8.2 milionë frangash zvicerane.

Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga portali bullgar “Dir”, i dyshuari akuzohet për 50 shkelje të ligjit në periudhën janar 2021-shkurt 2025, raporton e përditshmja zvicerane “Blick”.

Mediat lokale raportojnë se autoritetet bullgare tashmë e kanë ekstraduar të dyshuarin në Gjermani, pasi ai kishte pranuar vullnetarisht ekstradimin.

GP Aviation deri më tani nuk ka reaguar publikisht ndaj akuzave.

Kompania ajrore e përshkruan veten si kompani e menaxhuar nga Zvicra, megjithëse selinë kryesore e ka në Sofje, ndërsa një pjesë e funksioneve kryesore operojnë nga Cyrihu. E njëjta kompani në vitet e fundit operon edhe në linjat ajrore për në Kosovë dhe kryesisht lidh kryeqytetin kosovar me qytete në Zvicër, Gjermani dhe vende të tjera evropiane, duke u fokusuar te diaspora kosovaro-shqiptare. Flota e saj përbëhet nga tre avionë Boeing 737-400 dhe disa avionë të marrë me qira përmes marrëveshjeve “wet-lease”, përcjell Reporteri.net, raportimin e “Blick”.

Në Gjermani, kompanitë ajrore janë të obliguara që vetë t’i deklarojnë dhe paguajnë taksat e trafikut ajror, ndryshe nga disa vende të tjera ku këto pagesa realizohen automatikisht përmes sistemeve të rezervimit ose agjentëve të shërbimit.

Ende nuk është bërë e ditur se si dyshohet të ketë ndodhur shmangia e pagesës së taksave nga GP Aviation. Për të arrestuarin vazhdon të vlejë prezumimi i pafajësisë. /Reporteri.net/.

Trending