Ujërat e zeza dyshohet se po derdhen drejtpërdrejt në det në Gjirin e Lalzit, duke ndotur një nga zonat më të frekuentuara të bregdetit shqiptar pikërisht në kulmin e sezonit turistik.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë shkarkimin e ujërave të ndotura pranë bregut, në një zonë ku çdo ditë frekuentohen nga mijëra pushues. Nëse konfirmohet nga autoritetet, bëhet fjalë për një situatë të rëndë mjedisore dhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj një prej pasurive më të rëndësishme natyrore dhe turistike të vendit.
Ndërsa plazhet mbushen me pushues, ujërat e ndotura përfundojnë në det.
Rasti ngre pikëpyetje serioze për kontrollin e shkarkimeve, funksionimin e infrastrukturës së kanalizimeve dhe përgjegjësinë e institucioneve që duhet të garantojnë mbrojtjen e bregdetit.











