Trendy

Azizi: Shkup-Bllacë u bë realitet, e radhës Tetovë-Prizren

Para 1 orë

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, e ka cilësuar si ditë historike vendosjen e gurthemelit të autostradës Shkup-Bllacë, projekt i cili synon të përmirësojë lidhjen infrastrukturore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Në një reagim të publikuar pas ceremonisë, Azizi ka theksuar rëndësinë e projektit për shqiptarët në të dyja anët e kufirit, duke e cilësuar autostradën si një investim strategjik.

“Kosova më afër se kurrë! Ditë historike për të gjithë shqiptarët, që po e ëndërrojnë me dekada autostradën Shkup-Bllacë. Sot, përfundimisht, vendosëm gurthemelin e këtij projekti strategjik, i cili afron popullin tonë në dy anët e kufirit”, ka shkruar Azizi.

Ai ka vlerësuar se realizimi i këtij projekti është rezultat i sakrificës dhe angazhimit, duke shprehur kënaqësinë për nisjen konkrete të punimeve.

“Për ditë si kjo, ia vlen e gjithë sakrifica dhe angazhimi, lodhja dhe përkushtimi. Ta gëzojmë të gjithë!”, është shprehur deputeti.

Në fund, Azizi ka paralajmëruar se fokusi i radhës duhet të jetë në realizimin e një tjetër projekti të rëndësishëm infrastrukturor për lidhjen mes shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, rruga Tetovë-Prizren.

“E radhës, rruga Tetovë-Prizren!”, ka përfunduar Azizi.

Trending