Flukset e emigracionit po shndërrohen në pengesë kryesore për rritjen ekonomike afatgjatë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6).
Banka Botërore, në raportin e rregullt ekonomik rajonal, që u publikua këto ditë, vuri në dukje se edhe në dy vitet e fundit 2024-2025, rajoni vazhdon të vuajë nga hemorragjia e vazhdueshme e forcës punëtore, duke krijuar vështirësi të mëdha në tregut të punës.
Të dhënat tregojnë së Shqipëria mbetet në qendër të kësaj problematike, duke regjistruar shifrat më të larta të emigracionit neto (largimet minus kthimet), Ndërsa Serbia njeh shifrat më të ulëta në krahasim me popullsinë e saj.
Shqipëria më e prekura e Rajonit për emigrimin
Shqipëria kryeson listën me nivelin më të lartë të emigracionit neto, duke mbajtur një shifër konstante prej -24.2 mijë në të dy vitet 2024-2025.
Vendi po përballet një hemorragji demografike të vazhdueshme që nuk po reflekton përmirësim, përkundrazi është përshpejtuar pas pandemisë.
Arsyet kryesore lidhen me kërkesën për paga më të larta dhe kushte më të mira jetese në vendet e Bashkimit Europian, veçanërisht nga shtresa e të rinjve dhe profesionistëve.
Të dhënat e Bankës Botërore sugjerojnë se politikat e brendshme për frenimin e këtij fenomeni nuk po japin rezultatet e pritura. Ky trend i lartë mbetet një sfidë kritike për tregun e punës dhe qëndrueshmërinë e skemave shoqërore në vend.
Kosova, rënie pas fluksit të lartë të heqjes së vinave
Banka Botërore shikon për Kosovën përmirësim të dukshëm vitin e kaluar. Shifra e emigracionit neto ulet nga -22,000 persona në 2024 në -18, 500 në 2025, duke treguar një tendencë drejt stabilizimit.
Ky ndryshim me tendence ulje reflekton stabilizim pas valës së parë të liberalizimit të vizave që shpesh sjell një kulm e pastaj rënie. Megjithatë, shifrat mbeten sërish ndër më të lartat në rajon, çka tregon se presioni për emigrim mbetet i lartë për shkak të papunësisë te të rinjtë.
Arsyet e largimit mbeten kryesisht ekonomike, por rënia e ritmit tregon se ka ngadalësim të dëshirës për t’u larguar përgjithmonë. Rënia e largimeve me 2025 është shenjë inkurajuese për stabilitetin demografik të shtetit më të ri të rajonit.
Serbia largimet rriten, por më të ulëtat në Rajon
Serbia shfaq një përkeqësim të ndjeshëm të situatës, ku emigracioni neto rritet nga -8,200 në vitin 2024 në -13,100 në vitin 2025, referoi Banka Botërore. Por në raport me popullsinë prej rreth 6.8 milionë banorësh, Serbia ka shifra më të ulëta të emigracionit neto.
Kjo rritje i atribuohet kryesisht pasigurisë dhe një pakënaqësi në rritje brenda vendit ndaj qeverisjes, pavarësisht investimeve të huaja me vlerë të lartë që hyjnë në territorin serb. Emigracioni në Serbi lidhet kryesisht me kërkesën për liri më të mëdha politike. Rritja e kësaj shifre e vendos Serbinë në një pozicion më delikat sesa parashikimet fillestare për stabilitet demografik në rajon.










