Burhan Bekteshi, është person me invaliditet i cili muaj më parë ka filluar të punojë. Transportin publik të Shkupit e ka të vetmen alternativë që të mbërrij deri në vendin e tij të punës.
Në të shumtën e rasteve, janë qytetarët të cilët ndihmojnë Burhanin të ngjitet në autobusët urban të Shkupit, në disa raste e ndihmojnë edhe shoferët kur pajisjet për qasje në autobus nuk janë automatike për këta persona.
“Shoferet rrallë na ndihmojnë, është një shofer i autobusit me numër 20 që me ndihmon, e quajnë Eroll, kur është ai me ndihmon çdoherë, por kur kalojnë tjerët jo. E kam shumë të vështirë sepse duhet të me ndihmojnë qytetarët e perse të angazhohen qytetarët kur është rampa dhe në autobus është edhe shenja për personat me karroca apo invalidë”, tha Burhan Bekteshi – Person në karrocë.
Burhani së fundmi është ndjerë i diskriminuar nga një shofer i linjës publike të NQP-së, ndërsa shqetësimin e tij e ka ndarë edhe në rrjetet sociale. Sipas tij, një shofer i autobusit disa herë e ka penguar që të hyje në autobus dhe sipas tij është lënë disa herë në stacion që të pres autobusin tjetër të radhës.
“Shoferët duhet të ndihmojnë shumë sepse nuk është njerëzorë që të lësh një person me karrocë në diell e në shi. Ka pasur raste gjatë verës kam pritur në temperaturë 40 gradë mbi një orë shkaku i këtij personi, tjerët jo, vetëm ky çdoherë më bën të njëjtën. Do Zoti e shteti merr masa për këtë punë të paktën të pezullohet që ta merr dënimin”, u shpreh Burhan Bekteshi – Person në karrocë.
Tentuam të kontaktojmë drejtorin e NQP-së në lidhje me atë se a është informuar për rastin e Burhanit dhe çështjen e diskriminimit të një personi me invaliditet në autobusët e NQP-së por nuk morëm përgjigje as në mënyrë elektronike.
Sipas informatave të Alsat, autobusët janë të pajisur me dy lloje pajisjesh për personat me invaliditet, me pajisje elektronike kur shoferi nuk ka nevoje të zbres dhe në mënyrë jo elektronike kur shoferët janë të obliguar që të zbresin dhe t’i ndihmojnë personat me invaliditet.
Deri tani nga NQP-ja nuk u përgjigj as në pyetjen e dërguar se a janë të pajisur të gjithë autobusët e NQP-së me kushte për qasje me të lehtë dhe hyrjen në autobusë për personat me karroca. Sa i përket Burhanit, ai kërkoi nga shoferët e autobusëve që të jenë më zemërgjerë dhe të ndihmojnë këta persona.
“Duhet me dalë, pse të mos dalim, edhe ne jemi njerëz si të gjithë, edhe ne duhet ta shijojmë jetën se ndoshta këmbët ne nuk i kemi por kemi diçka tjetër dhe perse të mbyllemi në shtëpi”, deklaroi Burhan Bekteshi – Person në karrocë.









