Trendy

Bela: Ndryshimet në Statutin e UNT-së forcojnë zhvillimin dhe zgjerimin akademik të universitetit

Para 3 orë

Prorektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Bujamin Bela, ka bërë të ditur se sot në Kuvend janë miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Statutit të këtij institucioni të arsimit të lartë, të cilat synojnë harmonizimin me legjislacionin në fuqi dhe krijimin e kushteve për zhvillim të mëtejshëm të universitetit, përcjell tetova1

Bela thekson se:
“Me këto ndryshime, Universiteti ‘Nënë Tereza’ formësohet juridikisht edhe përmes zgjerimit me tre fakultete të reja: Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin e Shkencave Humane, duke hapur më shumë mundësi studimi dhe zhvillimi për të rinjtë.”

Po ashtu, ndryshimet parashohin rregullim të çështjeve organizative, standardizim të simboleve zyrtare dhe avancim të standardeve akademike, përfshirë lëshimin e diplomave në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze.

Ai theksoi se këto vendime përbëjnë një hap të rëndësishëm për forcimin e arsimit të lartë, rritjen e cilësisë akademike dhe konsolidimin e rolit të Universitetit “Nënë Tereza” si institucion modern dhe konkurrues.

Prorektori gjithashtu shprehu mirënjohje për të gjithë kontribuuesit në zhvillimin e universitetit, përfshirë udhëheqësinë, stafin akademik dhe administrativ, studentët si dhe institucionet dhe individët që kanë mbështetur këtë proces, duke theksuar se sukseset janë rezultat i punës së përbashkët dhe vizionit afatgjatë./tetova1.mk

Trending