Kina e ka quajtur bllokadën detare amerikane të porteve iraniane “të papërgjegjshme dhe të rrezikshme”, shkruan BBC.
Ministria e jashtme e Pekinit tha se ky veprim do të “minonte marrëveshjen të armëpushimit” dhe do të rrezikonte më tej sigurinë e anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore kritike që Irani e mbylli në mënyrë efektive në përgjigje të sulmeve SHBA-Izrael.
Bllokada hyri në fuqi të hënën, një ditë pasi bisedimet e paqes midis SHBA-së dhe Iranit u ndërprenë në Pakistan.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se masa synon ta detyrojë Iranin të heqë dorë nga ambiciet e tij bërthamore. Analistët thonë se masa është gjithashtu e projektuar për të ushtruar presion mbi Kinën, blerësin më të madh të naftës iraniane, që ta inkurajojë Teheranin të hapë ngushticën.
Ambasadori i Iranit në OKB e ka përshkruar bllokadën amerikane si një “shkelje të rëndë” të sovranitetit të Teheranit
Deri më tani, anijet kineze kanë qenë ndër të paktat që kanë arritur të kalojnë nëpër ngushticë. Nuk është e qartë nëse atyre iu është dashur të paguajnë një taksë ndaj Iranit për ta bërë këtë.
Bllokada amerikane mund të ndërpresë furnizimin e Kinës dhe të ketë pasoja të gjera për ekonominë e saj.
“Kina beson se vetëm duke arritur një armëpushim gjithëpërfshirës dhe duke i dhënë fund luftës, mund të krijojmë në thelb kushte për lehtësimin e situatës në ngushticë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun.
“Kina u bën thirrje të gjitha palëve të zbatojnë marrëveshjet e armëpushimit, të përqendrohen në drejtimin e përgjithshëm të dialogut dhe bisedimeve për paqe, të ndërmarrin veprime praktike për të nxitur lehtësimin e situatës rajonale dhe të rivendosin trafikun normal në ngushticë sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ajo.
Guo tha gjithashtu në një konferencë për shtyp të martën se raportet se Kina po përgatitej t’i dërgonte Iranit sisteme të reja të mbrojtjes ajrore ishin “plotësisht të fabrikuara”.
Trump ka kërcënuar të vendosë një tarifë prej 50% për mallrat e Kinës nëse Teheranit i ofrohet ndihmë ushtarake.
“Nëse SHBA-të këmbëngulin ta përdorin këtë si justifikim për të vendosur tarifa shtesë ndaj Kinës, Kina patjetër do të ndërmarrë kundërmasa të vendosura”, tha Guo.
Kjo vjen pasi zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, akuzoi Iranin për “terrorizëm ekonomik” për shkak të bllokadës së tij të Ngushticës së Hormuzit, pasi kishte sulmuar dhe kërcënuar të sulmonte anijet që kalonin nëpër të që nga muaji i kaluar.










