Komuna e Tearcës për herë të tretë ka dorëzuar kërkesë për punësime për çerdhen e re në fshatin Përshefcë, kjo pasi Ministria e Financave dy herë ua refuzoi këtë kërkesë për shkak të vërejtjeve që kishin, shkruan Portalb.mk.
Objekti i çerdhes në fshatin Përshefcë vazhdon t’i mbajë dyert e mbyllura, pavarësisht nevojës së madhe për çerdhe në këtë rajon.
Pas disa muajsh heshtje dhe injorim të pyetjeve gazetareske të Portalb.mk, pak ditë më parë, kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi ka folur publikisht për këtë temë gjatë një paraqitjeje në TVM2.
Ai thotë se kjo punë është dashur të merr jetë para katër viteve dhe se tani është punë muajsh, pasi është e treta herë që kanë bërë kërkesë për miratim të punësimeve në Ministrinë e Politikës Sociale e cila më pas e dërgon në Ministrinë e Financave.
“Kemi pasur disa vërejtje nga e kaluara të cilat neve na është dashur kohë për këto tre muaj që t’i përmirësojmë dhe besoj që kjo do jetë e treta dhe e vërteta. Besoj fuqishëm që këtë radhë nuk do të kthehet negativ, pasi të gjitha ata vërejtje i kemi marrë i kemi përmirësuar dhe besoj që ditëve në vijim do kemi përgjigje pozitive dhe menjëherë do fillojmë me procedurat e rregullta që do duhet të shpallet konkursi dhe më pas të nisë të funksionalizohet”, tha Memishi.
Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë e konfirmuan për Portalb.mk se kanë vepruar sipas kompetencave të saj dhe kanë dërguar kërkesë të re për miratim të punësimeve në çerdhen e re në Komunën e Tearcës deri te Ministria e Financave për rishqyrtim dhe vendimmarrje më 17.03.2026.
Ministria e Financave e konfirmoi se e ka pranuar kërkesën.
“Ministria e Financave do të përgjigjet brenda afatit ligjor dhe në përputhje me dispozitat ligjore”, thanë nga kjo ministri.
Kujtojmë se Ministria e Financave muajt e fundit dy herë i ka refuzuar kërkesat për punësime në këtë çerdhe objekti i së cilës është përfunduar para fiks tre viteve.
Pavarësisht premtimeve dhe afateve kohore si nga administrata e kaluar komunale ashtu edhe ajo aktuale, çerdhja vazhdon të jetë e mbyllur.
Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 2022, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale aso kohe mbeti te rrjeti i ujësjellësit. Më pas hapja vazhdoi të zvarritet me procedurat administrative për punësimet.
Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.
Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.
Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
Realizues të punëve ndërtimore ishin AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore ishin EuroConsult LTD-Shkup.










