Trendy

Dauti: Për dy vite në pushtet kemi bërë më shumë sesa BDI për dy dekada

Para 7 orë

Zëvendësdrejtori i Doganës, Mustafa Dauti, ka deklaruar se koalicioni VLEN, për vetëm dy vite në pushtet, ka realizuar më shumë punë dhe projekte sesa BDI gjatë dy dekadave të kaluara.
Sipas Dautit, gjatë kësaj periudhe janë realizuar investime të rëndësishme në komuna, shëndetësi, arsim,
infrastrukturë dhe ekonomi, duke përmendur projekte me vlerë miliona eurosh që, siç tha ai, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ai veçoi investimin historik prej 74 milionë eurosh për spitalin klinik në Tetovë, vazhdimin e punimeve në Korridorin 8, përfundimin e autostradës Shkup–Bllacë, si dhe investimin kapital prej 42 milionë eurosh për kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”.
Dauti theksoi gjithashtu se ndër arritjet e kësaj qeverisjeje janë edhe sistemi “One Stop Shop” në pikat kufitare, rritja e pagave dhe pensioneve, vauçerët për studentët, mbështetja për sektorin privat dhe bizneset e reja, si dhe akreditimi i Medresesë “Isa Beu”.
“Rritja e nivelit të punësimit të shqiptarëve, ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, si dhe Ligji i Jurisprudencës në gjuhën shqipe janë dëshmi se VLEN po punon konkretisht për barazi, zhvillim dhe përfaqësim dinjitoz”, u shpreh Dauti.

Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur skandale korruptive apo raste të montuara, siç, sipas tij, qytetarët janë mësuar të shohin në të kaluarën.
Dauti përmendi edhe rezultatin politik të VLEN-it në zgjedhjet lokale, duke theksuar se 10 komunat e fituara dhe qindra projektet e planifikuara për zhvillimin e tyre dëshmojnë besimin e qytetarëve dhe drejtimin e ri politik.
“Të gjitha këto dhe shumë të tjera mbajnë vulën VLEN”, deklaroi Mustafa Dauti.

Trending