Zbulohet regjimi i padukshëm në fshatrat e Gostivarit! Kryetari i degës së BDI-së në Gostivar, Valdet Xhaferi, ka denoncuar ashpër një situatë që ai e përshkruan si “regjim policor”, të zbatuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në disa fshatra të rajonit.
“Prej disa ditësh me radhë, në kulmin e sezonit veror dhe në fluksin e mërgimtarëve, banorëve të kësaj ane të Gostivarit u është kufizuar liria e lëvizjes,” thekson Xhaferi.
Sipas tij, bllokimi i kalimit në udhëkryqin strategjik të Zdunjës ka ndikuar rëndë në jetën e përditshme të banorëve të Zdunjës, Ravenit, Mirditës, Vërtokut dhe Reçanit. Ata janë detyruar të përshkojnë rrugë alternative, duke harxhuar më shumë kohë, para dhe energji – vetëm për të shkuar në shtëpitë e tyre.
Por situata ka arritur kulmin sot, kur disa qytetarë të Zdunjës janë arrestuar.
“Aq më keq, sot janë arrestuar disa banorë të fshatit Zdunjë vetëm pse kanë dashur të kthehen në shtëpi përmes rrugës kryesore,” shprehet i revoltuar Xhaferi.
Më tej, ai ngre akuza për trajtim të pabarabartë mes udhëtarëve dhe qytetarëve lokalë:
“Pse duhet të jenë më të vlefshëm udhëtarët që shkojnë në Ohër, sesa banorët e fshatrave të Gostivarit?!” pyet Xhaferi.
Kryetari i degës së BDI-së në Gostivar nuk ndalet me kaq, por jep edhe një paralajmërim të fortë politik:
“Shtetit policor, dhunës dhe regjimit po u vjen fundi së shpejti, në tetor!”










