Me të mbërritur në zyrë, një mesazh zhurmoi në telefonin e punës: “A keni një MINISTRI TË AI-t?”, më pyeste një mik në Gadishullin Iberik, sytë e të cilit kishin fiksuar një titull bombastik në televizionin publik spanjoll.
Në një lëvizje të paprecedentë për Evropën – dhe shumë përtej kontinentit të vjetër – Shqipëria sapo kishte emëruar një ministër virtual në kabinetin e saj.
Diella, një figurë e gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale (AI), iu drejtua Parlamentit shqiptar përmes dy ekraneve të mëdhenj, me një mesazh që përzinte idealet e transparencës me premtimet për paanshmëri teknologjike.
E paraqitur nga kryeministri Edi Rama si një simbol i përkushtimit të qeverisë për inovacion dhe llogaridhënie, Diella është konceptuar fillimisht si pjesë e platformës e-Albania, me mbështetje teknike nga Microsoft, dhe ka për qëllim të ndihmojë në “analizën e shpenzimeve publike, rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve në shërbimet shtetërore”.
“Unë nuk jam këtu për të zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata”, deklaroi Diella gjatë fjalimit të saj, duke shtuar se “mund të mos jem njeri, por jam kushtetuese”.
Por pas këtij prezantimi të fuqishëm teknologjik, ngrihen një sërë pyetjesh mbi etiken, përgjegjësinë dhe funksionin real të një figure të tillë virtuale brenda sistemit qeverisës.

Simbolikë apo substancë?
Në një prononcim ekskluziv për Albanian Post, Merve Hickok, presidente dhe drejtoreshë politike e Center for AI & Digital Policy, thekson qartë se vendime të tilla nuk janë të padëmshme.
Merve Hickok është një eksperte e njohur globalisht dhe e vlerësuar me çmime për politikat, etikën dhe qeverisjen e inteligjencës artificiale.
“Qeveria sugjeron se qëllimi i saj është të luftojë korrupsionin dhe të sjellë llogaridhënie. Megjithatë, nuk ka nevojë t’i bashkëngjitet një gjini ose një fytyrë këtij sistemi statistikor, as nuk ka arsye për të sugjeruar që sistemet e AI-t janë plotësisht objektive. Duke i vënë një fytyrë dhe emër këtij sistemi, qeveria rrezikon të shmangë përgjegjësinë dhe llogaridhënien e ardhshme të vendimeve të qeverisë”, shprehet Hickok.

Sipas ekspertes, qeveria ka po ashtu “barrën për të provuar se sistemi me të vërtetë funksionon”, siç pretendohet.
“Këto sisteme duhet të jenë transparente dhe të sigurta. Me fjalë të tjera, për analiza ose vendime të drejta të prokurimit, ne duhet të jemi në gjendje të kuptojmë se si sistemi arriti në një rezultat të caktuar, cilat kritere ishin kritike dhe nëse informacioni që përdori është i saktë”, shpjegon autorja për AP-në.
Këto shqetësime i ndan gjatë një bashkëbisedimi edhe Vincent C. Müller, profesor për filozofinë dhe etikën e AI-t në Universitetin FAU Erlangen-Nürnberg.
“Gjithçka duhet të bazohet në përgjegjësi njerëzore – personi që merr vendimin duhet të jetë i identifikueshëm dhe i përgjegjshëm, pra, të mund ta çosh në gjykatë nëse është e nevojshme”, thotë ai për Albanian Post.
Müller mendon se ka rreziqe dhe është “një marifet publiciteti, por drejtimi është i saktë”.
“Punë të tilla kanë për detyrë të ndjekin procedurën”, shprehet profesori për AP-në.

“Potencial me rreziqe reale”
Vetëm pak ditë para prezantimit të Diellës, OECD-ja publikoi raportin e saj të fundit “Governing with Artificial Intelligence”, një analizë gjithëpërfshirëse mbi përdorimin e AI-t në funksionet bazë të qeverisjes.
Raporti përmend qartë se Inteligjenca Artificiale ka potencialin të përmirësojë shërbimet publike, të rrisë efikasitetin dhe të ndihmojë në luftimin e korrupsionit – por thekson gjithashtu se përdorimi i saj në administratën publike bart rreziqe të mëdha, sidomos kur mungojnë transparenca, përgjegjësia institucionale dhe mundësitë për të apeluar vendime të automatizuara.
OECD-ja vëren se qeveritë shpesh ngelin në fazën pilot të zbatimit të AI-t, për shkak të mungesës së të dhënave cilësore, mungesës së kuadrit rregullator dhe vështirësive për të matur rezultatet reale të teknologjisë.
“Sistemet e inteligjencës artificiale janë po aq të mira sa të dhënat mbi të cilat trajnohen, vendimet e tyre të projektimit dhe mënyra se si validohen rezultatet e tyre. Sistemi mund të jetë i anshëm që në fillim, ose mund të sulmohet dhe manipulohet për të nxjerrë rezultate të caktuara. Të dyja këto mund t’i thellojnë problemet e korrupsionit, në vend që t’i luftojnë ato”, vijon Hickok.
Në këtë pikë, Müller përmend edhe shembuj konkretë të qeverisjes së hapur me teknologji digjitale: “Transparenca totale është gjithmonë më e mira në raste të tilla. Në Greqi, për shembull, po përpiqen: ekziston një regjistër kombëtar për aplikimet për leje ndërtimi që është publik, si edhe vendimet dhe njoftimet që marrin aplikantët”.

A mundet AI të jetë realisht transparent?
Nga pikëpamja teknike, Diella është një asistent virtual i ndërtuar mbi teknologji të Microsoft dhe të integruar në sistemin e shërbimeve publike të Shqipërisë.
Referuar të dhënave zyrtare, Diella ka ndihmuar përdoruesit të lundrojnë në faqe dhe të kenë qasje në rreth 1 milion pyetje dhe dokumente digjitale.
Por, sipas Hickok, suksesi i një sistemi të tillë nuk matet vetëm me shifra voluminoze.
“Nëse qeveria dëshiron të luftojë korrupsionin, mënyra më e mirë është të sigurohet që vendimet e sistemeve të inteligjencës artificiale janë transparente dhe se ekzistojnë mekanizma kuptimplotë në vend që qytetarët (ose palët e prekura) të japin reagime ose të kundërshtojnë rezultatet”, sqaron më tej autorja.
Ajo thekson se Akti i BE-së për inteligjencën artificiale ashtu edhe Rekomandimi i UNESCO-s mbi Etikën e Inteligjencës Artificiale ofrojnë udhëzime të mira se si të sigurohet “cilësia e të dhënave, rezultatet e drejta dhe transparenca”.

Një strukturë përgjegjësie, pas fytyrës njerëzore
Përtej entuziazmit për inovacion, problemi kryesor qëndron në identifikimin e përgjegjësisë.
Nëse një sistem AI merr një vendim të padrejtë për një tender publik apo për aksesin e një qytetari në shërbime sociale, kush mban përgjegjësi?
“AI nuk është entitet i pavarur. Ajo reflekton vendimet e njerëzve dhe institucioneve që e kanë krijuar dhe që e përdorin”, thotë Hickok.
OECD-ja e mbështet këtë qëndrim në raportin e saj, duke theksuar se mungesa e mbikëqyrjes njerëzore në vendime të rëndësishme për jetën dhe të drejtat e qytetarëve mund të thellojë padrejtësitë, jo t’i zgjidhë ato.
“Në mungesë të mekanizmave kuptimplotë që ofrojnë transparencë për të gjithë procesin e vlerësimit dhe vendimmarrjes së prokurimit, angazhimin e palëve të interesuara, mbikëqyrjen njerëzore për vendimet që ndikojnë në të drejtat themelore dhe qasjen në burime, si dhe aftësinë për të kundërshtuar rezultatet kur është e nevojshme – thjesht të thuash se jemi transparentë nuk mjafton”, ravijëzon Merve Hickok.
Krijimi i Diellës është padyshim një hap i guximshëm që vendos Shqipërinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për përdorimin e AI-t në qeverisje.
Në përgjigje të kritikave, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur fuqimisht përdorimin e “Diellës”, duke theksuar se kjo inteligjencë artificiale nuk synon të zëvendësojë njerëzit, por të ndihmojë në rritjen e efikasitetit dhe transparencës në shërbimet publike.
“Diella nuk harron asgjë, nuk i ndërhyn askush, nuk fle gjumë dhe nuk ndikohet nga interesa personale”, u shpreh Rama, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj teknologjie për modernizimin e shtetit.
Ky eksperiment ambicioz me Diellën shënon fillimin e një epoke të re në qeverisjen shqiptare, ku sfidat etike dhe teknologjike duhet të ecin paralelisht me avancimin e inovacionit dhe përgjegjësisë publike.










