Trendy

Dikena: Xhamia e Haxhi Mahmud Beut në Manastir u rikthye nga heshtja pas një shekulli

Para 1 orë

Drejtori i Vakëfit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Driton Dikena, ka reaguar për hapjen e Xhamisë së Haxhi Mahmud Beut në Manastir, duke e cilësuar atë si një rikthim të shpirtit dhe memories historike pas një shekulli heshtjeje, përcjell tetova1

Në një postim emocional, Dikena ka rikujtuar historinë e dhimbshme të xhamisë, e cila gjatë Luftës së Parë Botërore u dëmtua rëndë, ndërsa më pas u përdor si stallë kuajsh dhe magazinë plehrash.

Ai ka shkruar se, pavarësisht plagëve dhe heshtjes shumëvjeçare, xhamia mbeti në këmbë si simbol i qëndresës dhe shpresës.

“U desh një bombë gjatë Luftës së Parë Botërore që të plagoste kupolën e saj, të lëndonte minaren dhe të shuante për një shekull zërin e ezanit. Një shekull heshtje… një shekull pritje… një shekull dhimbje. Dhe megjithatë, xhamia e Mahmud Beut në Manastir nuk u shua.

E shndërruan në stallë kuajsh, magazin plehrash…e përbaltën shenjtërinë e saj. Ajo qëndroi. E plagosur, por në këmbë. E heshtur, por me kujtesë.

Brenda saj mbetën si ogur gjurmët e predhave deri më sot, si dëshmi se edhe guri e mban dhimbjen, por nuk e harron shpresën.

Dhe sot, kur dyert e saj hapen , ajo nuk rikthehet vetëm si një objekt i restauruar, por si një shpirt i kthyer nga heshtja, që pret të dëgjohet sërishë zëri e muezinit: ‘Eja në namaz, eja në shpëtim.’”, ka shkruar Dikena.

Në postimin e tij, ai ka ndarë edhe të dhëna historike për Xhaminë e Haxhi Mahmud Beut në Manastir, duke theksuar se objekti është ndërtuar në fillim të shekullit XVI, ndërsa përfaqëson një nga shembujt më të veçantë të arkitekturës osmane në rajon.

Sipas tij, xhamia dallohet për bazën katrore karakteristike, kupolën qendrore dhe minaren e dekoruar me elemente polikromatike, një prej veçorive më të rralla arkitektonike në hapësirën e Maqedonisë së Veriut.

Postimi i plotë:

“U desh një bombë gjatë Luftës së Parë Botërore që të plagoste kupolën e saj, të lëndonte minaren dhe të shuante për një shekull zërin e ezanit. Një shekull heshtje… një shekull pritje… një shekull dhimbje. Dhe megjithatë, xhama e Mahmud Beut në Manastir nuk u shua.
E shndërruan në stallë kuajsh, magazin plehrash…e përbaltën shenjtërinë e saj. Ajo qëndroi. E plagosur, por në këmbë. E heshtur, por me kujtesë.
Brenda saj mbetën si ogur gjurmët e predhave deri më sot, si dëshmi se edhe guri e mban dhimbjen, por nuk e harron shpresën.
Dhe sot, kur dyert e saj hapen , ajo nuk rikthehet vetëm si një objekt i restauruar, por si një shpirt i kthyer nga heshtja, që pret të dëgjohet sërishë zëri e muezinit: “Eja në namaz, eja në shpëtim.”

Lindja
Xhamia e Haxhi Mahmud Beut në Manastir u ndërtua në fillim të shekullit XVI, më së shumti përmendet viti 1521/1522, ndërsa në disa burime paraqiten edhe vitet 1530 ose 1532. Xhamia ndodhet në pjesën e vjetër të Çarshisë së Vjetër të Manastirit, pranë zonës historike tregtare, në lagjen e dikurshme Tomruk Mëhalla ku shpesh edhe vetë Mahmud Beu, njihej me nofkën Tomruk Aga. Sipas të dhënave historike, ai përmendet si qeveritar ose administrator i qytetit, në një periudhë kur Manastiri po zhvillohej si qendër e rëndësishme urbane, tregtare dhe administrative në kuadër të Perandorisë Osmane.
Rreth figurës së tij ekzistojnë disa mendime. Sipas një interpretimi, nofka Tomruk Aga mund të lidhet me një detyrë administrative ose mbikëqyrëse, ndoshta me funksione sigurie apo ruajtjeje. Ndërsa sipas një mendimi tjetër, Haxhi Mahmud Beu mund të ketë qenë një nga njerëzit e afërt ushtarakë të periudhës së Sulltan Bajazitit II, i cili më pas ishte vendosur në krye të administrimit të qytetit të Manastirit.
Edhe pse nuk dihen me saktësi të gjitha hollësitë e jetës së tij, ajo që dihet qartë është se Haxhi Mahmud Beu la pas një vepër që nuk ishte vetëm objekt adhurimi, por edhe shenjë e pozitës, vizionit dhe ndikimit të tij në jetën fetare e shoqërore të Manastirit.

Arkitektura e veçantë
Xhamia e Haxhi Mahmud Beut në Manastir përfaqëson një nga shembujt më të veçantë të arkitekturës osmane në rajon, me elemente që ndërthurin stilin selxhuk dhe traditën ndërtimore lokale.
Objekti është ndërtuar me bazë katrore prej 11.50 m x 11.50 m, një formë tipike për xhamitë e kësaj periudhe, e cila i jep strukturës stabilitet dhe simetri arkitektonike. Në qendër të saj ngrihet kupola kryesore, e cila dominon volumetrinë e objektit dhe përfaqëson elementin kryesor konstruktiv dhe estetik.
Minareja e xhamisë është një nga elementet më të veçanta dhe më të rralla në hapësirën e Maqedonisë. Ajo është e ndërtuar me një stil të dallueshëm dhe zbukuruar me dekorime polikromatike, duke e bërë atë një atraksion të veçantë artistik dhe arkitektonik”, ka përfunduar Dikena./tetova1.mk

Trending