Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka konfirmuar se një tjetër raund bisedimesh do të zhvillohen me Iranin për të arritur një marrëveshje përfundimtare paqeje. Trump tha se negociatat e reja mund të zhvillohen brenda dy ditëve të ardhshme në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad.
Fillimisht, Trump kishte pohuar për “New York Post”, se diskutimet po zhvilloheshin me ritëm të ngadalët, përpara se të tregonte se një raund i dytë negociatash të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës shtatëjavore ka të ngjarë të ndodhte diku në Evropë.
Rreth gjysmë ore më vonë, Trump telefonoi përsëri ‘New York Post’-in, duke thënë se një takim mund të zhvillohet brenda dy ditëve të ardhshme në Islamabad.
“Diçka mund të ndodhë gjatë dy ditëve të ardhshme, dhe ne jemi më të prirur të shkojmë atje. Ka më shumë të ngjarë, e dini pse? Sepse marshalli i fushës po bën një punë të shkëlqyer”, tha Trump
Trump po i referohej Fushmarshalit të Pakistanit, Gjeneral Asim Munir, me të cilin ai krijoi një lidhje vitin e kaluar ndërsa vendi ishte në mes të luftës së vet me Indinë, e cila përfundoi pas vetëm katër ditësh falë një marrëveshjeje paqeje që SHBA-të ndihmuan të ndërmjetësohej.
“Ai është fantastik, dhe për këtë arsye ka më shumë të ngjarë që të kthehemi atje. Pse duhet të shkojmë në një vend që nuk ka të bëjë fare me të?”, shtoi ai.
Presidenti tregoi gjithashtu se nuk ishte i kënaqur me raportet se SHBA-të i kishin kërkuar Iranit të pezullonte programin e pasurimit të uraniumit për të paktën dy dekada gjatë bisedimeve të pasuksesshme të fundjavës së kaluar.
“Kam thënë se ata nuk mund të kenë armë bërthamore, kështu që nuk më pëlqejnë 20 vitet”, përfundoi ai.










