Trendy

“Do të kundërpërgjigjemi si një tërmet”, Irani kërcënon SHBA-në: Nafta, lufta dhe armët bërthamore në lojë

Para 1 orë

SHBA po shton presionin ekonomik ndaj Iranit, ndërsa Teherani paralajmëron se mund të përgjigjet duke goditur interesat energjetike në rajon, duke zgjeruar objektivat e luftës dhe duke rishikuar qëndrimin ndaj armëve bërthamore.

Ndërsa Uashingtoni nis fazën e fundit të përpjekjeve për të goditur ekonominë iraniane, Republika Islamike po paralajmëron për një përgjigje rajonale dhe ndërkombëtare që mund të rrisë ndjeshëm koston e përballjes për Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të përfshira.

Në një konferencë për shtyp të hënën, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi se SHBA do të godasë një rrjet kompleks që Irani e ka ndërtuar gjatë viteve për t’u mundësuar kompanive dhe institucioneve të tij të shmangin sanksionet e gjera amerikane.

Masa vjen pas gjashtë muajsh lufte të nisur nga SHBA dhe Izraeli kundër Iranit, konflikt që ka hyrë në një ngërç, ndërsa përpjekjet diplomatike nuk kanë sjellë një zgjidhje.

Sanksionet dytësore të paraqitura nga Bessent synojnë partnerët tregtarë të Iranit në sektorë që Teherani i përdor për të mbështetur ekonominë, përfshirë asetet digjitale, teknologjinë dhe transportin detar.

Megjithatë, masat e paralajmëruara si “Dita D ekonomike” e administratës Trump rezultuan më të kufizuara nga sa pritej. Uashingtoni nuk vendosi menjëherë masa të reja të mëdha, por zgjodhi të zgjerojë dhe të forcojë zbatimin e sanksioneve ekzistuese. Në të njëjtën kohë, SHBA paralajmëroi se vendet që nuk reduktojnë lidhjet ekonomike me Iranin mund të përballen me masa më të ashpra.

Teherani, nga ana tjetër, po thekson aftësinë e tij për t’iu përgjigjur presionit ekonomik. Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar për sulme të mundshme ndaj prodhuesve të naftës në rajon, për zgjerimin e objektivave drejt vendeve evropiane dhe madje për mundësinë e ndryshimit të doktrinës bërthamore.

“Prej kohësh kemi luajtur shah… por kemi mësuar të luajmë edhe poker. Prej njëfarë kohe po luajmë një kombinim të të dyjave.”, deklaroi të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei.

Rritja e mëtejshme e çmimit të naftës

Prej muajsh, Irani ka penguar kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, duke kufizuar mundësinë e vendeve të rajonit për të eksportuar naftë dhe gaz përmes një rruge që, përpara luftës, përballonte rreth një të pestën e furnizimeve globale.

Ndërkohë, grupi Houthi në Jemen, i mbështetur nga Irani, ka hapur një front të ri në Detin e Kuq, duke vënë në shënjestër eksportet dhe infrastrukturën saudite të naftës.

Tani, zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë po kërcënojnë se mund të godasin objektiva energjetike edhe jashtë Ngushticës së Hormuzit. Kjo do të përfshinte potencialisht disa prej korridoreve alternative që vendet e Gjirit po përdorin për të anashkaluar ngushticën.

“Nëse lufta ekonomike vazhdon, nuk do të eksportohet asnjë pikë naftë, as përmes Ngushticës së Hormuzit dhe as nga ndonjë pjesë tjetër e Gjirit Persik”,shkroi në platformën X Mohsen Rezaei, kreu i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.

Më vonë, gjatë një interviste televizive, ai paralajmëroi: “Do të kundërpërgjigjemi në mënyrë të ngjashme me një tërmet.”

Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ose ndërprerjet e mëtejshme të transportit detar mund të rrisin çmimet globale të naftës dhe, si pasojë, edhe çmimin e karburanteve në SHBA dhe tregje të tjera.

Me mbështetjen e Marinës amerikane, kompanitë e naftës nga Arabia Saudite, Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur të çaktivizojnë transponderët e disa cisternave për të shmangur zbulimin nga autoritetet iraniane. Eksportet kanë vazhduar pjesërisht, megjithëse kalimet mbeten dukshëm nën nivelet e paraluftës.

Arabia Saudite ka devijuar rreth 5 milionë fuçi naftë në ditë përmes tubacionit Lindje-Perëndim, i cili i mundëson eksportin nëpërmjet Detit të Kuq në vend të Hormuzit. Prodhues të tjerë të Lindjes së Mesme kanë devijuar rreth 2 milionë fuçi të tjera në ditë përmes rrugëve alternative.

Irani ka sinjalizuar se këto operacione janë nën vëzhgimin e tij. Autoritetet iraniane kanë publikuar një listë me 45 anije që, sipas tyre, nuk po respektojnë rregullat që Teherani kërkon të zbatojë për lundrimin në Hormuz. Irani ka paralajmëruar se shkeljet mund të sjellin kufizime të ardhshme, gjoba, ndalim ose konfiskim të anijeve.

Zgjerimi gjeografik i luftës

Një tjetër mundësi është që Teherani të zgjerojë objektivat e sulmeve me raketa përtej zonave të prekura deri tani nga konflikti.

Të hënën, Ministria e Jashtme iraniane iu referua avionëve amerikanë të furnizimit me karburant që ishin nisur nga territori bullgar, duke paralajmëruar se Irani mund ta konsiderojë Bullgarinë, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si objektiv të mundshëm.

“Irani ka të drejtën legjitime të godasë pikën e origjinës dhe burimin e çdo akti agresioni”, tha Baghaei. Sipas tij, Teherani e ka bërë të qartë se çdo veprim që mbështet operacionet ushtarake amerikane dhe izraelite kundër Iranit konsiderohet nga Republika Islamike si pjesëmarrje në agresion.

Gjatë luftës, Irani ka goditur 11 vende, kryesisht në rajonin e Gjirit. Sipas CNN, besohet gjithashtu se Teherani ka sulmuar një bazë të përdorur nga forcat britanike në Qipro dhe ka treguar se mund të arrijë ishuj në Oqeanin Indian që përdoren nga forcat amerikane.

Një sulm kundër një vendi të BE-së dhe njëkohësisht anëtar të NATO-s, si Bullgaria, do të përbënte një përshkallëzim të konsiderueshëm të konfliktit.

“Irani do ta konsiderojë pjesëmarrjen ose mbështetjen e çdo vendi për luftën ekonomike të Amerikës kundër popullit iranian si një akt lufte”, deklaroi Rezaei.

Mundësia e ndryshimit të doktrinës bërthamore

Irani ka deklaruar vazhdimisht se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore dhe se nuk synon të ndërtojë armë bërthamore. SHBA dhe Izraeli e kanë kundërshtuar këtë qëndrim dhe shqetësimet për programin iranian kanë qenë ndër arsyet kryesore të sulmeve ndaj objekteve bërthamore të vendit.

Pas vrasjes nga SHBA dhe Izraeli të Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili kishte ndaluar armët bërthamore, debati brenda disa qarqeve zyrtare iraniane ka nisur të zhvendoset drejt mundësisë së tërheqjes nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, NPT.

Traktati i detyron shtetet jo-bërthamore anëtare të mos zhvillojnë armë bërthamore.

Sipas vlerësimeve të përmendura nga CNN, rreth gjysmë ton uranium i pasuruar në nivele të larta mbetet i groposur brenda Iranit. Materiali mund të përdoret në procesin e prodhimit të një arme bërthamore, ndërsa inteligjenca amerikane vlerëson se Teherani ka shtuar përpjekjet për ta izoluar dhe siguruar rezervën.

Parlamenti iranian po shqyrton një projektligj për tërheqjen e vendit nga NPT-ja, sipas ligjvënësve iranianë.

Të dielën, Rezaei bëri gjithashtu një deklaratë të pazakontë, duke ngritur hapur mundësinë e zhvillimit të një arme bërthamore.

“E gjithë bota po thotë: ‘Pra, NPT-ja nuk ka asnjë efekt?’. Kur Amerika zhvillon një luftë të tillë, njerëzit pyesin: Përse të mos kërkojmë edhe ne armë bërthamore?”,deklaroi ai për televizionin shtetëror.

Deklarata nuk përbën një njoftim zyrtar se Irani ka vendosur të prodhojë armë bërthamore, por tregon se kjo mundësi po diskutohet më hapur në qarqet politike dhe të sigurisë të vendit.

Përshtatje ekonomike dhe parandalim përmes kërcënimit të përshkallëzimit

Ekspertët e cituar nga CNN vlerësojnë se kombinimi i bllokadës, sanksioneve dhe veprimeve ushtarake të Uashingtonit nuk ka gjasa ta detyrojë Iranin të heqë dorë nga kërkesat e tij kryesore në negociata: lehtësimi i presionit ekonomik dhe njohja e kontrollit që Teherani pretendon mbi Ngushticën e Hormuzit.

“Irani ruan aftësinë për t’i shpërndarë kostot që i imponohen në të gjithë rajonin, duke kërcënuar flukset energjetike, infrastrukturën dhe tregtinë rajonale”, tha për CNN Sina Toossi, studiues i lartë në Center for International Policy në Uashington.

Sipas tij, sa më gjithëpërfshirëse të bëhet përpjekja amerikane për izolimin ekonomik të Iranit, aq më shumë vende do t’i duhen Uashingtonit për ta zbatuar atë. Kjo, nga ana tjetër, mund të shtojë numrin e shteteve dhe aktorëve mbi të cilët Teherani mund të ushtrojë presion.

Në këtë fazë, Toossi vlerëson se strategjia iraniane ka të ngjarë të ndërthurë përshtatjen ekonomike me përpjekjen për të frenuar përshkallëzimin përmes kërcënimit të kostove më të mëdha për kundërshtarët.

Me fjalë të tjera, Teherani do të përpiqet të ndërtojë rrugë alternative ekonomike aty ku është e mundur, ndërsa njëkohësisht do të sinjalizojë se një përpjekje për ta izoluar plotësisht ekonomikisht Iranin do të kishte pasoja edhe për ekonomitë dhe sigurinë energjetike të rajonit./Përshtatur nga “CNN”

Trending