Trendy

Donald Trump përballë Iranit, konflikt pa fitues dhe rrugëdalje e paqartë

Para 1 orë

“Thrillerat” që nga 28 shkurti e deri më sot, në fazën e dytë të konfliktit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën duke synuar sërish Teheranin, janë të shumtë dhe prekin si aspektin diplomatik ashtu edhe atë ushtarak.

Donald Trump u bë presidenti i parë amerikan që firmosi urdhrin për të sulmuar Iranin jo një, por dy herë, ndërsa së fundmi duket se po kërkon një rrugëdalje nga një konflikt që prek drejtpërdrejt edhe kartën e tij më të fortë, ekonominë.

Nga ana tjetër, regjimi në Teheran po demonstron një qëndrueshmëri që pak vende, përveç Rusisë dhe Kinës mund ta shfaqnin përballë fuqisë më të madhe ushtarake në botë dhe aktorit kryesor rajonal, Izraelit ndërsa edhe vetë Irani synon një dalje nga kriza.

Të dyja palët, megjithëse pa një datë të qartë takimi në Islamabad, deklarojnë se kërkojnë një zgjidhje “të ndershme”, por pa qenë të gatshme të bëjnë lëshime të mëdha. Irani nuk dëshiron të rikthehet në tryezën e negociatave pa garanci, pas përvojave të mëparshme me Uashingtonin dhe Tel Avivin.

Mungesa e besimit mes palëve është thelluar ndjeshëm. Së fundmi, Teherani ka sinjalizuar se nuk do të dërgojë delegacion në Pakistan pa pjesëmarrjen e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance dhe pa garanci të qarta mbi kushtet e takimit.

Në të njëjtën kohë, është e qartë se Irani nuk do të pranojë një menaxhim të përbashkët të Ngushticës së Hormuzit dhe nuk do të heqë dorë lehtësisht nga uraniumi i pasuruar, një çështje që mbetet thelbësore në këtë përballje.

Teherani synon të dalë nga kjo krizë duke ruajtur narrativën e rezistencës, që për të përkthehet në një formë fitoreje, si dhe duke mbajtur kontrollin mbi levat strategjike të presionit në Gjirin Persik.

Nga ana tjetër, është e vështirë të besohet se SHBA-të janë të gatshme ta konsiderojnë këtë përballje të humbur, qoftë në narrativë apo në substancë. Donald Trump mbetet një faktor kyç, i bindur se mund të arrijë sukses edhe në këtë situatë komplekse.

Presidenti amerikan përballet gjithashtu me presion të brendshëm, ndryshe nga struktura teokratike e Iranit dhe Garda Revolucionare Islamike. Edhe pse ka kritikuar shpesh sistemin e llogaridhënies në Perëndim, ai mbetet udhëheqës i zgjedhur i ekonomisë më të fuqishme globale.

Një faktor tjetër i rëndësishëm mbetet edhe dimensioni personal i Trump, përfshirë interesin e tij për prestigj dhe vlerësim ndërkombëtar, siç është Çmimi Nobel për Paqen. Kjo mund të ndikojë në mënyrën se si ai e sheh një marrëveshje të mundshme.

Me armëpushimin 15-ditor që skadon të mërkurën dhe konfliktin që ka zgjatur mbi 50 ditë, situata mbetet e brishtë. Edhe pse asnjëra palë nuk duket se dëshiron një përshkallëzim të ri, ekziston një mundësi reale që përplasja të vazhdojë, në mungesë të një marrëveshjeje konkrete.

Trending