Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) ka shpallur thirrje publike për angazhimin e ish-pjesëtarëve të policisë, Armatës dhe njësive zjarrfikëse për përballimin e zjarreve pyjore dhe zjarreve në hapësira të hapura gjatë sezonit veror, përcjell tetova1
Kërkohen drejtues të automjeteve speciale zjarrfikëse, operatorë të pompave zjarrfikëse të integruara në automjete, si dhe operatorë të çantave shpine me ujë dhe mjeteve për shuarjen e zjarreve.
Nga DMSH njoftojnë se personat e angazhuar do të përfitojnë 44.000 denarë neto në muaj, ose gjithsej 132.000 denarë për tre muaj, që korrespondojnë me rreth 2.150 euro. Për pensionistët, ky angazhim nuk do të ndikojë në marrjen e pensionit.
“Ejani, ndihmoni dhe fitoni 2.150 euro për tre muaj gjatë verës, duke marrë pjesë në shuarjen e zjarreve në hapësira të hapura që na presin në periudhën në vijim”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë.
Kandidatët duhet të kenë të paktën pesë vjet përvojë pune në polici, Armatë ose në njësitë zjarrfikëse, pavarësisht nëse janë pensionuar apo për arsye të tjera nuk janë më pjesë e këtyre shërbimeve. Gjithashtu, kërkohet që të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe psikofizike.
DMSH bën të ditur se do të organizojë kontrolle shëndetësore, vlerësim të përgatitjes psikofizike, trajnim të shkurtër për shuarjen e zjarreve, si dhe do të sigurojë uniformat dhe pajisjet e nevojshme.
Orari i punës do të përshtatet sipas gjendjes në terren dhe nevojave për intervenim, ndërsa shfrytëzimi i ditëve të lira do të koordinohet në varësi të intensitetit të angazhimeve.
Të interesuarit mund të aplikojnë në adresën elektronike dzs@dzs.gov.mk, duke dërguar emrin dhe mbiemrin, një biografi të shkurtër profesionale dhe numrin e telefonit për kontakt./tetova1.mk





