Trendy

FFM i kundërpërgjigjet Shkëndijës: Nuk do të vazhdojë më si deri tani

Para 3 orë

Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) i është përgjigjur reagimit të fundit të ekipit të Shkëndijës së Tetovës në lidhje me dënimet e fundit që i ka shqiptuar Federata për ekipin nga Tetova, transmeton Portalb.mk.

“Me keqardhje deklarojmë se në vend që të marrë përgjegjësinë për incidentet që ndodhën në ndeshjen finale të Kupës së Maqedonisë, KF Shkëndija po dëshmon përsëri një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen te FFM-ja dhe vendimet e saj”, raportoi Federata, duke e konsideruar këtë temë të mbyllur.

Ata përkujtojnë Shkëndijën se të gjitha përfitimet financiare, sikurse edhe pjesëmarrja në garat evropiane është përmes FFM-së, ndërsa qëndrimet e vazhdueshme të Shkëndijës i ka vlerësuar si qëndrime arrogante.

“Asnjë shantazh, presion apo kërcënim nuk do ta lëkund Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM) në qëllimin e saj për t’i dhënë fund trazirave në tribuna, pavarësisht se nga kush vijnë. Respekti për kundërshtarin, tifozët, ligjet dhe simbolet shtetërore është një detyrim për të gjithë dhe nuk do të ketë përjashtime. Rregullat duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për çdo klub, çdo individ dhe çdo entitet në futbollin maqedonas.”, raportuan nga Federata.

Ndryshe, sponsori i KF Shkëndijës sot (5 qershor) ka kërkuar që vendimi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) të rishikohet dhe korrigjohet urgjentisht. Ata thonë se, KF Shkëndija konsiderohet si një nga klubet e pakta në vend që ka funksionuar me seriozitet, korrektësi dhe në përputhje të plotë me të gjitha obligimet sportive dhe financiare.

Kujtojmë se Komiteti Disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) i ka vendosur  gjobë drakoniane Klubit të Futbollit Shkëndija për shkak të ngjarjeve në finalen e Kupës, të cilën skuadra nga Tetova e humbi ndaj Sileksit me rezultatin 0:1. FFM e gjobiti Shkëndijën me 105.000 euro dhe e përjashtoi nga ndeshjet e kupës për sezonin e ardhshëm.

Trending