Trendy

Fillon aksioni i madh për pastrimin e Shkupit: Mexhiti, Mickoski dhe Gjorgjievski në terren

Para 4 muaj

Sonte ka nisur aksioni i gjerë për pastrimin e Shkupit, pas javëve të vështira në të cilat qyteti u përball me grumbullim të madh mbeturinash për shkak të bllokadave dhe neglizhencës institucionale. Lajmin e ka bërë të ditur Izet Mexhiti, i cili ka njoftuar se bashkë me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievskin, po gjenden në terren gjatë kryerjes së punimeve të pastrimit.

Në këtë aksion janë të angazhuara ekipet e Higjienës Komunale, Parqeve dhe Gjelbërimit, ndërmarrjeve publike të qytetit, si dhe kompani private me përgjegjësi shoqërore, të cilat po kontribuojnë në mobilizimin e gjerë qytetar.

Aksioni përfshin pastrimin e kontejnerëve, hapësirave përreth tyre, shëtitoreve, shesheve dhe mini-deponive të krijuara gjatë periudhës së bllokadave. Mexhiti theksoi se qëllimi është që qyteti të zgjohet mëngjesin e nesërm me ajër më të pastër dhe me pamje më të rregulluar urbane.

“Sonte, Shkupi nuk do të flejë mbi mbeturina,” u shpreh ai, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si fillimin e një kapitulli të ri për kryeqytetin.

Aksioni pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim me fokus të shtuar në higjienën publike dhe mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta.

Trending