Vendet evropiane po shqyrtojnë krijimin e një misioni ndërkombëtar për të garantuar sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë, raportoi Wall Street Journal.
Sipas medias amerikane, plani parashikon formimin e një koalicioni të gjerë ku do të marrin pjesë Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, me qëllim rikthimin e lëvizjes së sigurt detare pas përfundimit të konfliktit në rajon. Në kuadër të kësaj nisme, pritet dislokimi i anijeve për çminim dhe mjeteve të tjera ushtarake.
Një element kyç i planit është se misioni nuk do të përfshijë Shtetet e Bashkuara, si dhe as Izraelin apo Iranin. Presidenti francez Emmanuel Macron konfirmoi se bëhet fjalë për një mision mbrojtës ndërkombëtar që nuk do të përfshijë palë të përfshira drejtpërdrejt në konflikt.
Diplomatë evropianë të cituar në raport theksojnë se forcat detare evropiane nuk do të operojnë nën komandë amerikane, duke sinjalizuar një qasje më të pavarur të Evropës në këtë çështje strategjike.
Qëllimi i iniciativës është të rikthejë besimin e kompanive të transportit detar për të përdorur sërish Ngushticën e Hormuzit, pas përfundimit të armiqësive, një proces që sipas zyrtarëve mund të kërkojë kohë.
Gjermania pritet të luajë një rol të rëndësishëm në këtë mision. Sipas raportit, një zyrtar i lartë gjerman ka konfirmuar se Berlini po shqyrton pjesëmarrjen, një hap që do të shënonte ndryshim të qëndrimit të deritanishëm më të rezervuar ndaj angazhimeve ushtarake.
Përfshirja e Gjermanisë do të forconte ndjeshëm operacionin, duke qenë se vendi disponon burime financiare dhe kapacitete ushtarake të rëndësishme për realizimin e një misioni të tillë. Një vendim zyrtar nga Berlini mund të vijë së shpejti.
Ndërkohë, Kina dhe India janë ftuar të marrin pjesë në këtë iniciativë, por ende nuk është e qartë nëse do të angazhohen, sipas një zyrtari francez.
Nisma zhvillohet në një kontekst tensionesh të larta gjeopolitike dhe synon të sigurojë një nga arteriet kryesore të furnizimit global me energji.










