Franca ka vendosur një ndalim hyrjeje për ministrin e Financave të krahut të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich, për shkak të politikës së vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot njoftoi sot, se masa është pjesë e sanksioneve të reja të vendosura nga Franca, së bashku me Britaninë e Madhe, Kanadanë, Australinë, Zelandën e Re dhe Norvegjinë ndaj politikës së vendbanimeve në territoret palestineze.
Sipas deklaratës së përbashkët të Ministrive të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse, qëllimi i këtyre masave, është mbajtja përgjegjëse e kolonëve ekstremistë për dhunën ndaj civilëve palestinezë.
Në deklaratë thuhet se kolonët ekstremistë të dhunshëm – të mbështetur nga përkrahësit e tyre – vazhdojnë të kryejnë sulme ndaj palestinezëve dhe të shkelin të drejtat e tyre njerëzore.
Sipas deklaratës, ata përdorin dhunën për të dëbuar palestinezët nga tokat e tyre, për të shkatërruar pronën e tyre dhe për të vazhduar zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme, duke rrezikuar zgjidhjen me dy shtete dhe perspektivën e bashkëjetesës paqësore.
Barrot e justifikoi ndalimin e hyrjes për Smotrich, duke thënë se ai po mbështet aneksimin e Bregut Perëndimor dhe krijimin e vendbanimeve të reja në këtë territor.
Sipas tij, ministri izraelit gjithashtu ka mbështetur idenë e ripopullimit të Rripit të Gazës, nga i cili Izraeli u tërhoq më shumë se 20 vite më parë.
“Kjo është një politikë që shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar, e cila mbështet fuqimisht zgjidhjen me dy shtete, nuk mund ta pranojë”, shkroi sot Barrot në platformën X.
Përveç ministrit Smotrich, ndalimi i hyrjes përfshin edhe katër drejtues të organizatave të kolonëve dhe 21 kolonë të dhunshëm.
Izraeli i ka kundërshtuar fuqishëm sanksionet e reja, duke i cilësuar si masa anti-izraelite që, sipas tij, nxisin më tej antisemitizmin në vendet përkatëse.
Sipas autoriteteve izraelite, këto sanksione përbëjnë, një përpjekje për të imponuar një qëndrim politik mbi konfliktin izraelito-palestinez dhe mbi të drejtën e hebrenjve për t’u vendosur në tokën e Izraelit, nën maskën e masave kundër dhunës.










