Trendy

Gashi: Mundësitë reale në vend janë çelësi i parandalimit të migrimit

Para 2 orë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mori pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare të mbajtur në Tiranë, ku u diskutua mbi rolin e diasporës në zhvillimin demokratik dhe përfaqësimin institucional.

Në fjalën e tij, Gashi theksoi rëndësinë e adresimit të shkaqeve të migrimit, duke nënvizuar nevojën për krijimin e politikave të qëndrueshme që sigurojnë përfaqësim më të madh të diasporës në proceset vendimmarrëse. Ai veçoi gjithashtu domosdoshmërinë e ndërtimit të mundësive reale për qytetarët, me qëllim që ata të mund të realizojnë potencialin e tyre intelektual dhe profesional në vendin e tyre, si një nga mënyrat kyçe për parandalimin e migrimit. Në kuadër të kësaj vizite, Gashi realizoi takim me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Në këtë takim u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, si dhe përkushtimi i përbashkët në rrugën drejt integrimit evropian. Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke diskutuar edhe për zhvillimet politike dhe rolin shtetformues të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve infrastrukturore si element kyç për forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve. U theksua se partneriteti strategjik me orientim të qartë euroatlantik, bashkëpunimi korrekt dhe mbështetja e ndërsjellë mbeten shtyllat kryesore për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve vëllazërore. Gjatë qëndrimit në Tiranë, Gashi zhvilloi gjithashtu takim me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi. Në këtë takim, i pari që nga marrja e detyrës së tij si kryeparlamentar, u vlerësua si hap i rëndësishëm në konsolidimin e bashkëpunimit ndërparlamentar. Bashkëbiseduesit diskutuan për përparimet dhe sfidat e përbashkëta në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar rolin e kuvendeve në afrimin e politikave, shkëmbimin e përvojave dhe ndërtimin e një dialogu të qëndrueshëm institucional. Me këtë rast, Kryetari Gashi e ftoi homologun e tij për një vizitë zyrtare në Shkup, me qëllim thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit përmes diplomacisë parlamentare dhe iniciativave të përbashkëta.

Trending