Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se Bundestagu gjerman ka marrë vendim për zgjatjen e mandatit të trupave gjermane në KFOR në Kosovë edhe për një vit tjetër.
Ky vendim është marrë të premten, ndërsa theksohet se angazhimi i Gjermanisë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor do të vazhdojë.
“Si një nga kontribuuesit fillestarë, Gjermania ka qenë e palëkundur në mbështetjen e KFOR-it që nga themelimi i tij në vitin 1999, duke ofruar personel, ekspertizë dhe udhëheqje. Angazhimi ynë për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor mbetet i pandryshuar. Së bashku, vazhdojmë të punojmë drejt një të ardhmeje paqësore”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ndërkohë, Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO) ka njoftuar të premten se do të “optimizojë” praninë e saj në Kosovë dhe do të zvogëlojë gradualisht numrin e trupave që shërbejnë në misionin e KFOR-it.
Sipas NATO-s, vendimi për reduktimin e trupave gjatë vitit të ardhshëm vjen si rrjedhojë e përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në Kosovë gjatë viteve të fundit.
Po ashtu, NATO ka ndërprerë që në muajin janar të këtij viti dislokimin e forcave rezervë, të cilat ishin angazhuar në rotacion të vazhdueshëm për më shumë se dy vite në KFOR.





