Në reagimin e tyre, LSDM akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Hristijan Mickoski se po vepron me qëllim për të penguar kthimin e Gruevskit në vend. Sipas tyre, mosveprimi i qeverisë dhe refuzimi për të dërguar një kërkesë të re për ekstradim përbëjnë, siç thonë, “mbrojtje të hapur politike”.
“Ndërkohë që shtete të tjera, si Polonia, veprojnë me shpejtësi në raste të tilla, Mickoski i blen kohë Gruevskit”, theksohet në komunikatë. LSDM më tej akuzon se qeveria dhe partia në pushtet nuk kanë vullnet që ish-kryeministri të përballet me drejtësinë në Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, kjo situatë përfaqëson një rast tipik të ndërhyrjes politike për të mbrojtur një të dënuar. Në fund, LSDM kërkon transparencë dhe veprime konkrete nga institucionet për të siguruar kthimin e Gruevskit dhe vendosjen e drejtësisë.










