Erling Haaland i ra daulles për të udhëhequr tifozët dhe lojtarët norvegjezë në festën e famshme “Viking Row”, që është bërë pjesë e rëndësishme e Kupës së Botës.
Pasi festoi që e udhëhoqi Norvegjinë drejt çerekfinales së parë në Kupë të Botës, duke shënuar të dy golat në fitoren 2:1 ndaj Brazilit, mendimet e Haalandit u zhvendosën në shtëpi, ku dhjetëra mijëra norvegjezë festuan deri në orët e vona.
Dhe sigurisht, duke bërë vetë festën “Viking Row”.
“Shikoni rrugët në Norvegji”, tha Haaland. “Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë. Do të doja të isha në Oslo tani duke festuar me të gjithë njerëzit”.
Për fat të mirë të Norvegjisë, Haaland është në SHBA duke rreshtuar golat dhe duke e bërë këtë Botëror më të mirin në histori të Norvegjisë.
Ecuria e deritashme, sidomos eliminimi i Brazilit në një të tetën e finales, po ngjall krenari te tifozët në stadiume dhe në rrugët e qyteteve ku po zhvillohen ndeshjet. Po ashtu në gjithë vendin skandinav me rreth 5.5 milionë banorë.
Sipas këshillit të qytetit, rreth 50 mijë njerëz po shikonin ndeshje kundër Brazilit në sheshin kryesor në Oslo. Duke mbajtur një shall futbolli të Norvegjisë rreth qafës, Princi i Kurorës, Haakon, takoi një grup tifozësh jashtë pallatit mbretëror dhe u pa duke marrë pjesë në një “Viking Row” masiv pas ndeshjes.
Fishekzjarrët shpërthyen në stadiumin “Ullevaal”, ku Norvegjia luan si vendase. Në stadium, mijëra tifozë u ulën në tavolina të gjata për të parë ndeshjen.
“I gjithë vendi po lundron së bashku”, tha përzgjedhësi Stale Solbakken.
“Po bëjmë një festë të mrekullueshme këtu, në Oslo dhe në të gjitha qytetet e tjera të mëdha dhe të vogla në të gjithë Norvegjinë. Dhe lundrimi është në një mënyrë simbol i kësaj dhe dëshmi që jemi të bashkuar”.
Turma të mëdha tifozësh me ngjyrat e flamurit të Norvegjisë e kthyen festën në formë të lundrimit në një senasacion viral. Festa po bëhet në sheshe të mëdha në SHBA dhe madje në ndeshje të sporteve të tjera.
Skena të tilla do të vazhdojë të ketë të paktën deri sa Norvegjia të luajë me Anglinë të shtunën në çerekfinale të Botërorit.
“Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”, tha kapiteni Martin Odegaard. “Kemi treguar se mund të mposhtim këdo dhe se po e shijojmë vërtetë atë që po e bëjmë. Po argëtohemi dhe në futboll gjithçka është e mundr. Kështu që vetëm duhet të mbajmë këmbët në tokë, të vazhdojmë të punojmë dhe do të shohim çka do të ndodhë”, ka shtuar Odegaard.
Norvegjia është në Botëror vetëm për herë të katërt dhe për herë të parë që nga viti 1998. Në gjashtë Botërorët e kaluar nuk ia doli të kualifikohet. Haaland, i cili mbush 26 vjet më 21 korrik, nuk ishte i lindur kur Norvegjia u paraqit së fundi. Ai bëri shaka duke thënë se askush nuk mund ta fajësojë për humbjet e mëparshme, kur ai nuk luante.
“Mund të më fajësoni që erdha këtu”, tha Haaland, që tani i ka shtatë gola, sa edhe Lionel Messi dhe Kylian Mbappe. “Është e pabesueshme. Jam krenar. Jam krenar për vendin tim dhe krenar për të gjithë”.
Suksesi në Botëror është vazhdim i edicionit përrallor për futbollin norvegjez. Bodo/Glimt, ekipi i vogël që luan në stadiumin me 8000 vende, ka mposhtur shumë ekipe të mëdha në Champions. Tani përfaqësuesja po merr vëmendjen e merituar në turneun e parë të madh ndërkombëtar që nga viti 2000.
Lojtarët po e kërkojnë suksesin e futbollisteve të Norvegjisë, që e fituan Kupën e Botës në vitin 1995. Norvegjia për kohë të gjatë ka ekip të shkëlqyer te futbollistet.
Haaland tha disa herë pasi mundën Brazilin se nuk mund të besonte që një fitore e tillë ishte e mundur dhe se ajo ishte përtej ëndrrave të tij më të çmendura.
Ai gjithashtu shpreson që suksesi i Norvegjisë t’i bëjë fëmijët të duan të përfaqësojnë vendin e tyre.
“Dua të kultivoj edhe një kulturë ku ne jemi krenarë që luajmë për ekipin përfaqësues. Dhe nëse luani me Norvegjinë, atëherë duhet ta bëni me krenari. Mendoj se duhet ta kultivojmë këtë lloj qasjeje tek të rinjtë”, ka thënë superylli Haaland.
“Për të gjithë fëmijët që shikojnë tani, dua që të bëni si unë dhe dua që të luani me krenari kur të rriteni”.










