Trendy

Haradinaj i drejtohet Kurtit: Po luan me nervat e njerëzve, kthehuni në Kuvend ta kryejmë ligjin

Para 1 orë

Ramush Haradinaj ka kritikuar Albin Kurtin për kushtëzimet lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar këtë sjellje si lojë me ndjenjat e qytetarëve.

Në një konferencë për media, Haradinaj ka kërkuar që deputetët të kthehen në Kuvend për ta përmbyllur çështjen e ligjit, i cili, sipas tij, është votuar nga 91 deputetë.

“S’ka asgjë kombëtare, as morale e as njerëzore nga konferenca në konferencë, është e pandershme me lanë në gjysmë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se, megjithëse të gjitha temat kanë rëndësi, nuk ka logjikë që kjo çështje të shoqërohet me lojëra e kushtëzime.

“Ky ligj është i të gjithë neve dhe iu bëj thirrje të gjithëve, ejani në Kuvend ta kryejmë ligjin. Nëse humbim kohë do të jetë e pafalshme, sepse është ligj që është votuar nga 91 deputetë”, ka thënë ai.

Haradinaj ka përfunduar me një thirrje për kthim në seancë: “Kemi edhe tri orë, kthehuni në seancë, është ligj i të gjithë neve”.

Trending